Pas fitores historike të shënuar nga opozita hungareze, kanë mbërritur menjëherë reagimet e para zyrtare nga majat e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë rezultat si një moment kthese për mbarë kontinentin.
E para që ka thyer heshtjen ishte Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Përmes një mesazhi plot simbolikë, ajo theksoi se vullneti i shprehur i qytetarëve hungarezë ka rikthyer vëmendjen te vlerat e përbashkëta dhe aspiratat evropiane.
“Zemra e Evropës po rreh më fort në Hungari sonte”, deklaroi von der Leyen. Ajo madje bëri edhe një koment miqësor për liderin e ri të fitores: “Shpresoj që Péter Magyar ta ketë karikuar mirë telefonin e tij, pasi popullariteti i tij sapo ka shpërthyer”.
Më tej, ajo nënvizoi rëndësinë e këtij rezultati për kohezionin e bllokut. “Hungaria zgjodhi Evropën, ashtu siç Evropa ka zgjedhur gjithmonë Hungarinë. Së bashku jemi më të fortë; ky vend po rimerr rrugën e tij evropiane dhe Bashkimi po fuqizohet”, shtoi kryediplomatja evropiane.
Ndërkohë, një urim i rëndësishëm ka mbërritur edhe nga Pallati Elysee. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka përgëzuar menjëherë Magyar për triumfin elektoral, duke shprehur gatishmërinë e tij të plotë për një bashkëpunim të ngushtë strategjik në të ardhmen.
“Le të punojmë së bashku për të çuar përpara një Evropë më sovrane, për sigurinë e kontinentit tonë, për rritjen e konkurrueshmërisë dhe për forcimin e mëtejshëm të demokracisë sonë”, shkroi kreu i shtetit francez në mesazhin e tij. /lajmishqip.net
