Zbulim revolucionar: Truri nuk ‘rrëshqet’ në gjumë, por ‘fiket’ papritur

2 minutes, 4 seconds Read

Një studim i ri zbulon se, ndryshe nga besimi i përhapur për një rënie të butë, truri pëson një ndryshim të papritur dhe të shpejtë pak para se të biem në gjumë.

Studiuesit kanë zbuluar një pikë kthese kyçe e cila ndodh vetëm pak minuta para se të fillojë gjumi, raporton Science Alert.

Duke përdorur skanime të trurit të mijëra vullnetarëve, shkencëtarët nga Kolegji Mbretëror i Londrës (ICL) dhe Universiteti i Surrey-t në Mbretërinë e Bashkuar, kanë vëzhguar një ndryshim çuditërisht të befasishëm në aktivitetin elektrik të trurit, rreth 4.5 minuta para se një person të bjerë në gjumë.

“Ne zbuluam se rënia në gjumë është një degëzim (bifurkacion), jo një proces gradual, me një pikë kthese të qartë që mund të parashikohet në kohë reale. Aftësia për të monitoruar se si truri individual bie në gjumë ka implikime të thella për kuptimin tonë të procesit dhe për zhvillimin e trajtimeve të reja për njerëzit që kanë vështirësi të bien në gjumë”, shpjegon neuroshkencëtari i ICL-së, Nir Grossman.

Ekipi zhvilloi një model që transformoi 47 karakteristika të aktivitetit të trurit, të regjistruara nga një elektroencefalogram (EEG), në një hapësirë abstrakte matematikore.

Kjo i lejoi ata të ndiqnin ndryshimet në tru që nga momenti kur personat shtriheshin për të fjetur derisa binin në gjumë. Kur paraqitet grafikisht, kjo trajektore i ngjan një topi që rrokulliset poshtë një shpati gjithnjë e më të pjerrët, drejt një rënieje të menjëhershme.

Duke përdorur këtë model, shkencëtarëve iu desh vetëm një natë regjistrimi i aktivitetit të trurit të një individi për të parashikuar kohën e rënies në gjumë në netët pasuese, me saktësi 95 për qind dhe një diferencë gabimi prej vetëm 49 sekondash.

“Tani mund të marrim një individ, të matim aktivitetin e trurit të tij dhe t’i tregojmë çdo sekondë se sa larg është nga gjumi, në çdo moment të caktuar, me një saktësi që më parë ishte e pamundur”, tha Grossman për New Scientist.

Përveç kuptimit më të mirë të gjumit të shëndetshëm, kjo njohuri mund të ndihmojë ekspertët të diagnostikojnë dhe trajtojnë çrregullimet e gjumit si pagjumësia ose përgjumja e tepërt gjatë ditës. Hulumtimi është botuar në revistën prestigjioze Nature Neuroscience./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme