Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të martën ka mandatuar Glauk Konjufcën si kandidat për kryeministër të Kosovës.
Në lidhje me këtë vendim ka reaguar ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili në një prononcim për Front Online e ka cilësuar këtë veprim si një formalitet kushtetues, që sipas tij, nuk pritet të marrë mbështetje në Kuvend.
“Glaukun e kanë propozuar vetëm për ta kaluar radhën, sepse e dinë që nuk do të zgjidhet. Partitë politike tashmë i kanë dhënë qëndrimet e tyre dhe Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur asnjë marrëveshje me to. Kjo është vetëm procedurë që duhet të përfundojë, në mënyrë që të shpallen zgjedhjet e reja,” tha Haliti.
Ai theksoi se Konjufca nuk përfaqëson asgjë ndryshe nga Kurti, pasi të dy, siç u shpreh ai, janë pjesë e së njëjtës logjikë politike.
“Është njësoj si Albini, si Glauku. Nuk mund të votohet dikush vetëm pse pëlqehet si individ, sepse kryeministri zbaton politikat e partisë së vet. Si njeri, e vlerësoj shumë Glaukun, por si politikan, për të udhëhequr vendin në emër të VV-së, nuk duhet të votohet. Ky është qëndrimi edhe i PDK-së,” deklaroi Haliti./lajmishqip.net
