Vendimi i Supremes për pensionet, mësoni kategoritë që lirohen nga obligimi i paraqitjes fizike

1 minute, 29 seconds Read

Gjykata Supreme ka shfuqizuar pjesë të një udhëzimi administrativ që i obligonte pensionistët të paraqiteshin periodikisht për të vërtetuar se janë gjallë, duke i liruar kështu disa kategori specifike nga ky detyrim.

“Është shpallur i kundërligjshëm dhe është shfuqizuar neni 4, paragrafi 2, i Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015 të MPMS-së, si dhe neni 5, paragrafët 1, 2, 3 dhe 4 të po këtij dokumenti”, ka bërë të ditur zyrtarisht Gjykata Supreme.

Pavarësisht këtij aktgjykimi, në opinionin publik janë shpërfaqur paqartësi të shumta lidhur me atë se kush duhet të vazhdojë lajmërimin në zyrat përkatëse dhe kush jo.

Për të sqaruar këtë konfuzion, Ministria e Financave ka njoftuar këtë të hënë, më 19 janar, se pensionistët kontributpagues, ata me kontribute parciale dhe shfrytëzuesit e pensioneve familjare, nuk kanë më nevojë të paraqiten në zyrat e pensioneve.

Në anën tjetër, kategoritë e tjera mbeten ende nën obligimin e paraqitjes së rregullt, konform legjislacionit që mbetet në fuqi.

Sipas interpretimit të vendimit, neni 24 i ligjit specifikon se dy grupet që duhet të lajmërohen janë ata që përfitojnë pensionin bazik të moshës dhe shfrytëzuesit e pensioneve të parakohshme.

“Përfituesit e pensionit bazik të moshës dhe atij të parakohshëm janë të detyruar të paraqiten në zyrat e caktuara çdo gjashtë muaj, duke pasur me vete dokumentacionin e identifikimit”, saktëson neni 24.

Referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për tetorin e vitit 2025, në shkallë vendi pension bazik pranojnë rreth 164 mijë qytetarë. Ndërkaq, numri i personave që lirohen nga ky proces sipas rregullave të reja arrin në rreth 70 mijë.

Aktualisht, vlera e pensionit bazik në Republikën e Kosovës është 150 euro./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme