Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar marrjen e një vendimi të ri për caktimin e marzhës tregtare për produktet e naftës, me qëllim rregullimin e tregut.
Sipas njoftimit zyrtar, marzha maksimale e lejuar e fitimit është kufizuar në 2 centë për litër për shitjet me shumicë, ndërsa për shitjet me pakicë tavani është vendosur deri në 12 centë për litër.
Hajdari argumentoi se kjo masë është e domosdoshme për të mbrojtur konsumatorët dhe për të garantuar konkurrencë të drejtë. Ajo theksoi se nga monitorimi i vazhdueshëm i Doganës dhe Inspektoratit është vërejtur një praktikë e padrejtë: rritja e çmimit të importit reflektohet menjëherë në tregun vendor, ndërsa ulja e çmimeve të furnizimit nuk përcillet me të njëjtën shpejtësi te qytetarët.
Për të siguruar zbatimin e këtij vendimi, ministrja paralajmëroi mbikëqyrje të rreptë nga Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim të ngushtë me Doganën dhe Administratën Tatimore të Kosovës. /lajmishqip.net
