U zbulua e verteta e përmasave të kërcënimit të Putinit ndaj Britanisë

4 minutes, 25 seconds Read

Nga: Samuel Ramani / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Me vendime fajësie përfundoi një nga rastet më dramatike të spiunazhit rus në Britani. Tre shtetas bullgarë, të lidhur me mjeshtrin e mashtrimit të Wirecard-it [ish-kompani gjermane e pagesave dhe shërbimeve financiare, e lidhur me krimin], Jan Marsalek – i cili u vendos në Rusi në vitin 2020 – janë shpallur fajtorë për spiunazh. Këta spiunë të dënuar kryen një fushatë mbikëqyrjeje kundër gazetarit të [grupit të gazetarëve investigues holandezë] Bellingcat-it me origjinë bullgare, Christo Grozev, i cili zbuloi detaje tronditëse mbi helmimin e vitit 2020 të liderit opozitar rus, Alexey Navalny.

Pavarësisht eksodit të rusëve të lidhur me Kremlinin, nga Londra, dhe forcimit të Aktit të Sigurisë Kombëtare të Britanisë në vitin 2023, kërcënimi i spiunazhit rus mbetet i madh. Në tetor 2024, kreu i MI5-shit, Ken McCallum, paralajmëroi se agjencitë e inteligjencës ruse ishin në një mision për të krijuar “kaos të vazhdueshëm në rrugët britanike dhe evropiane”. McCallum deklaroi se Drejtoria Kryesore e Inteligjencës së Rusisë (GRU) kishte kryer sulme zjarrvënëse dhe operacione sabotimi në Britani si hakmarrje për mbështetjen britanike ndaj Ukrainës.

Si e kryen Rusia spiunazhin në tokën britanike? Përmes një shumëllojshmërie metodash konvencionale dhe të papritura. Rruga më e parashikueshme e spiunazhit kalon përmes Ambasadës së reduktuar ruse në Londër. Në maj të vitit 2024, Britania dëboi atasheun e Mbrojtjes të Ambasadës Ruse, për shkak se ishte një oficer i paidentifikuar i inteligjencës ushtarake. Pronat diplomatike ruse, si “Hikoks Hith” [Seacox Heath] në Saseks dhe Seksioni i Mbrojtjes Tregtare në Hajgejt [Highgate], historikisht kanë shërbyer si baza për operacionet e spiunazhit rus.

Një tjetër formë spiunazhi ndodh përmes rekrutimit të punonjësve të pakënaqur të qeverisë britanike. Në shkurt të vitit 2023, veterani i Forcave Ajrore Mbretërore (RAF), David Smith, u dënua me trembëdhjetë vjet burg për kalimin e emrave, numrave të telefonit dhe adresave të kolegëve të tij në Ambasadën Britanike në Berlin, te një gjeneral rus. Një operacion i MI5-shit e ndaloi komplotin e Smithit, por përpjekjet e rekrutimit nga Rusia mbeten një rrezik i qartë dhe i vazhdueshëm.

Përveç këtyre metodave të vjetra, Rusia ka eksperimentuar me një sërë taktikash të reja spiunazhi. E para është spiunazhi kibernetikë. Rusia ka përdorur sulme mashtruese [spear-phishing] për të hyrë në informacionet e qytetarëve dhe të organizatave britanike. Akteri i lidhur me FSB-në [Shërbimi i Sigurisë Federale i Rusisë], Star Blizzard, ka vënë në shënjestër politikanët britanikë, organizatat dhe studiuesit që nga viti 2019. Ai mashtroi objektivat e tij me letra të personalizuara elektronike dhe përdori viruse [malware] për të mbledhur të dhëna nga shtetasit britanikë. Qendra 18 e FSB-së, e cila mbikëqyr sulmet e Star Blizzardit, ka intensifikuar fushatën e saj të ndërhyrjes politike në Britani dhe ka rrjedhur disa dokumente sekrete politike.

E dyta është përfitimi nga përhapja e kompanive private të inteligjencës dhe sigurisë në Britani. Në janar, Ministria e Brendshme paralajmëroi profesionistët e sigurisë private që të shmangin pranimin e punëve nga Rusia, Kina dhe Irani, si dhe i nxiti ata të tregoheshin më të kujdesshëm për të mos dhënë pa dashje informacion ndaj këtyre akterëve armiqësorë. Grupi i ish-punonjësve të inteligjencës britanike, të cilët punojnë për këto kompani, janë objektiva të lehtë për spiunët rusë.

E treta është rekrutimi i shtetasve të huaj që kanë simpati ndaj Rusisë. Marsalek shfrytëzoi magjepsjen e shtetasit bullgar, Orlin Roussev – përkitazi me spiunazhin dhe përvojën e tij në inteligjencën e sinjaleve – për ta bindur atë të punonte për interesat ruse. Roussevi gjeti një kosmetolog, një piktor dhe dekorues, si dhe një luftëtar të arteve të përziera marciale nga diaspora bullgare, për të ndihmuar në përpjekjet e Marsalekut për mbikëqyrjen e drejtuar nga Kremlini. Marsaleku dhe Roussevi zhvilluan skema për të shitur dronët amerikanë në Rusi dhe Kinë, si dhe për të vënë në shënjestër forcat ukrainase që trajnoheshin në objektet amerikane në Shtutgart.

Përderisa mungesa e përvojës së grupit të bashkëpunëtorëve të Roussevit kufizoi efektivitetin e tyre, Rusia ka gjithashtu qasje tek agjentët shumë të trajnuar të inteligjencës. Rusia po përpiqet të rekrutojë komandot afganë të trajnuar nga forcat britanike, duke shfrytëzuar pakënaqësinë e tyre ndaj tërheqjes kaotike të Perëndimit nga Afganistani. Rusia po përpiqet t’i joshë këta komando që t’i bashkohen pushtimit të saj në Ukrainë dhe të përfitojë prej tyre informatat mbi taktikat dhe teknologjitë ushtarake britanike.

Dënimi i rrjetit të spiunëve të Marsalekut në Britani është një fitore e kundërspiunazhit. Megjithatë, është vetëm një hap i vogël drejt shkatërrimit të kërcënimit të shumëfishtë që spiunazhi rus paraqet për demokracinë britanike, për industritë dhe institucionet e saj të çmuara./Telegrafi

Publikime te ngjashme