Në samitin e NATO-s në Hagë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se po shqyrton mundësinë e furnizimit të Ukrainës me sisteme të mbrojtjes ajrore “Patriot”, të cilat i përshkroi si “një qind për qind efektive” bazuar në performancën e tyre.
I pyetur nga gazetarët për dërgesat e mundshme drejt Kievit, Trump theksoi se sistemet janë të vështira për t’u siguruar, por se mundësia po vlerësohet.
“Do të shohim nëse mund t’i bëjmë disa të disponueshme. E dini, ato janë shumë të vështira për t’u siguruar,” tha ai, duke shtuar: “Ne po i furnizonim ato Izraelit dhe ato janë shumë efektive, njëqind për qind efektive. Vështirë të besohet se sa efektive.”
Presidenti amerikan pranoi se kjo është kërkesa kryesore e Ukrainës për t’u mbrojtur nga sulmet ruse. “Ata e duan këtë më shumë se çdo gjë tjetër,” tha Trump.
Lidhur me përfundimin e luftës, Trump e cilësoi atë si një proces “më të vështirë nga sa mund ta mendojnë njerëzit”, duke përmendur sfidat me presidentët Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky. Megjithatë, ai u shpreh optimist pas një takimi me udhëheqësin ukrainas.
“Mendoj se është një kohë e shkëlqyer për t’i dhënë fund. Do të flas me Vladimir Putin për të parë nëse mund t’i japim fund,” deklaroi Trump.
Nga ana e tij, Presidenti Zelensky konfirmoi se kishte zhvilluar një takim “të gjatë dhe përmbajtësor” me Trumpin, ku diskutuan mënyrat për të “arritur një armëpushim dhe një paqe të vërtetë”, raporton lajmishqip.