Trump iniston në marrëveshje për mineralet me Ukrainën, përpara ndihmës ushtarake për ta

2 minutes, 1 second Read

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të thjeshtë me Ukrainën për burimet e saj minerale, me qëllim që të finalizojë një pakt shpejt dhe më pas të negociojë kushtet e detajuara, përfshirë pjesën e burimeve që do t’i përkiste SHBA-së.

Kjo vjen pas refuzimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për një propozim të mëparshëm nga SHBA, sipas të cilit Uashingtoni do të merrte 50% të mineraleve strategjike të Ukrainës, duke përfshirë grafitin, uraniumin, titanin dhe litiumin, raporton Reuters.

Negociatat dhe presioni amerikan

Burime të informuara kanë bërë të ditur se arritja e një marrëveshjeje të plotë do të kërkojë kohë, por Trump dëshiron të finalizojë një pakt me Ukrainën përpara se të aprovojë ndihmë të mëtejshme ushtarake për Kievin ose të ndërmarrë hapa drejt ndërmjetësimit të negociatave të paqes me Rusinë.

I dërguari i Trumpit për Ukrainën, Keith Kellogg, ndodhet këtë javë në Kiev për të diskutuar kushtet e paktit të rishikuar dhe përfitimet që do të kishte Ukraina nga nënshkrimi i tij. Zelensky ka deklaruar se do të takohet me Kelloggun të enjten, duke theksuar rëndësinë që bisedimet dhe bashkëpunimi me SHBA-në të jenë konstruktivë.

Një këshilltar i Trumpit, i cili zgjodhi të mbetej anonim, duke iu referuar Zelenskyt, tha për Reuters:
“Absolutisht, duhet ta sjellim këtë djalë përsëri në realitet.”

Përplasjet mes Trump dhe Zelensky

Presioni amerikan për arritjen e marrëveshjes vazhdon pavarësisht tensioneve të shtuara midis Trumpit dhe Zelenskyt.

Të mërkurën, Trump e quajti presidentin ukrainas një “diktator pa zgjedhje”, pasi Zelensky e kishte akuzuar më parë Trumpin se jetonte në një “flluskë dezinformimi ruse”, në përgjigje të pretendimit të liderit amerikan se Ukraina kishte nisur luftën.

Shtetet e Bashkuara kanë dhënë dhjetëra miliarda dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën gjatë tre viteve të fundit. Trump ka propozuar që investimet amerikane në mineralet ukrainase të shërbejnë si një mënyrë për të siguruar që “në një formë apo tjetër, ne do ta kthejmë atë para”.

Ai sugjeron që Ukraina t’i japë SHBA-së koncesione për nxjerrjen e mineraleve me vlerë 500 miliardë dollarë, si një formë kompensimi për ndihmën amerikane.

Publikime te ngjashme