Lëvizja Vetëvendosje në Mitrovicë ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit janë identifikuar gjithsej 75 fletëvotime me mospërputhje në numrin serik, por ka hedhur poshtë mundësinë për manipulim apo ndërhyrje të qëllimshme në favor të ndonjë subjekti politik.
Në komunikatë specifikohet se nga 75 fletëvotimet me shpërputhje, 43 janë të papërdorura dhe 32 janë të përdorura gjatë procesit zgjedhor. Nga këto të përdorurat, 17 i takojnë kandidatit të PDK-së, 10 kandidatit të LVV-së, ndërsa 5 sosh janë pa numër serik.
VV rikujton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe kompania përgjegjëse për shtypjen (CETIS) tashmë kanë sqaruar arsyen e shpërputhjeve, duke përmendur një defekt teknik në njërën nga kokat e printimit dhe duke përjashtuar çdo mundësi të ndërhyrjes së jashtme apo falsifikimit.
Sipas LVV-së, çdo fletëvotim ka qenë i pajisur me elemente sigurie dhe është plotësisht i gjurmueshëm në sistem.
“Procesi i numërimit është zhvilluar nën vëzhgim të subjekteve politike dhe institucioneve përkatëse, duke garantuar transparencë dhe integritet të plotë zgjedhor,” përfundon komunikata.
Kryesuesi i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ) në Mitrovicën e Jugut, Bajram Hajdari, ka bërë të ditur se procesi i verifikimit të fletëvotimeve ka përfunduar rreth orës 14:00, ndërsa po bëhen përgatitjet për dërgimin e materialit zgjedhor në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në Fushë Kosovë.
Ai ka konfirmuar se sipas një verifikimi paraprak janë identifikuar 75 fletëvotime që përmbajnë gabime teknike, të cilat i takojnë të dy kandidatëve në garë.
“Një pjesë e tyre është kopjuar me kujdes në prani të policisë dhe më pas janë dorëzuar, ndërsa tani çështja i takon organeve të tjera kompetente,” ka theksuar Hajdari.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar rivotim të procesit zgjedhor, duke pretenduar se në Mitrovicë është përdorur fenomeni i “trenit bullgar” dhe kësisoj është dëmtuar rëndë integriteti i procesit zgjedhor./lajmishqip.net
