Ministria kineze e Mbrojtjes njoftoi të hënën se Serbia dhe Kina do të zhvillojnë stërvitjen e tyre të parë të përbashkët ushtarake më vonë gjatë këtij muaji.
Zëdhënësi i Ministrisë, Koloneli Jiang Bin, saktësoi se në stërvitjen e koduar “Paqeruajtësit 2025” do të marrin pjesë forcat speciale të të dyja vendeve dhe ajo do të mbahet në provincën Hebei të Kinës veriore.
“Kjo do të jetë stërvitja e parë e përbashkët midis ushtrive kineze dhe serbe. Ajo do të kontribuojë në forcimin e aftësive luftarake të pjesëmarrësve dhe në thellimin e bashkëpunimit mes dy ushtrive”, deklaroi ai.
Edhe pse Serbia është ushtarakisht neutrale, ajo është anëtare e programit të NATO-s “Partneriteti për Paqe”, i cili përfshin bashkëpunim dypalësh me vende jo-anëtare.
Beogradi zyrtar kultivon marrëdhënie të ngushta me Pekinin, duke e cilësuar bashkëpunimin si partneritet strategjik, pavarësisht se Serbia mbetet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në arenën ndërkombëtare, autoritetet në Beograd mbështeten te përkrahja e Kinës për të kundërshtuar pavarësinë e Kosovës në organizata të ndryshme.
Gjithashtu, Serbia varet nga Kina edhe për investime të rëndësishme ekonomike dhe kredi të buta, raporton lajmishqip.