Temperaturat e larta, Qeveria merr vendim për lirimin dhe reduktimin e orarit të punës për disa kategori

1 minute, 39 seconds Read

Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që të kufizojë orarin e punës të disa kategorive për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave të larta në vijim, raporton Gazeta Sinjali.

MSH ka bërë të ditur se nga dita e nesërme, më 13 korrik deri më 20 korrik, në hapësirën e 1 jave disa kategori do të kenë lirim apo reduktim të orarit të punës.

Njëra ndër to është lirimi nga puna i grave shatzëna për brenda këtij afati 1 javor, ndërsa në rast të pamundësisë së lirimit nga puna, ato mund të punojnë nga shtëpitë.

Të gjitha vendimet e marra më poshtë:

VENDIM

Kufizim i orarit të punës përgjatë temperaturave të larta

Në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për shkak të rritjes së konsiderueshme të temperaturave në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, Ministria e Shëndetësisë merr vendim që të kufizohet orari i punës nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 për këto kategori:

1. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 lirohen nga puna gratë shtatzëna.

2. Në rast të pamundësisë së lirimit nga puna sipas paragrafit 1 të këtij vendimi, gratë shtatzëna punojnë nga shtëpitë.

3. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 qytetarët me sëmundje kronike punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë.

4. Nga data 13.07.2024 deri më 20.07.2024 ndalohet puna në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00 – 17:00 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

5. Varësisht prej temperaturave që mbizotërojnë gjatë muajit korrik dhe gusht 2024, ndërmerren masa të tjera.

6. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.

Ky vendim është marrë duke pasur parasysh praktikat më të mira për mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë së punëtorëve gjatë periudhave me temperatura të larta.

Ministria e Shëndetësisë

Data: 13 Korrik 2024./GazetaSinjali

Publikime te ngjashme