Zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri në një debat në njërin nga televizionet në Kosovë më 03.10.2024, deri sa po diskutohej edhe për çështjen e veriut u drejtua me pyetjen “çka nëse nuk kishin ndërhy forcat e Kosovës qato që i kemi në rastin e Banjskës dhe të kishim pritë që NATO me na nxjerrë nga situata?”.
Vokrri vazhdoi deklarimin e tij duke thënë se nëse do të ishte për KFOR-in, kufiri i Kosovës do të vendosej ose në Vushtrri ose në Mitrovicë apo edhe diku tjetër
“Tash sikur të ishim bazu në vullnetin e ndonjë komandanti të këtyre trupave të KFOR-it na ishim kanë tu negociu ku po e lëmë kufirin a në Vushtrri a në Mitrovicë apo ku, pra ka qenë gjaku i Afrim Bunjkaut dhe sakrifica e vetëmohimi i kolegëve të tij dhe jo i ushtarëve të NATO-s të pranishëm që kanë qenë aty”, tha në Context në ATV, Vokrri.
Tutje ai ngriti dyshimet nëse KFOR ishte apo jo në dijeni se brenda territorit të Kosovës u futën automjete të blinduara e arsenal armësh ushtarake.
“Të hyjnë 24 xhipa e mjete të blinduara e gjithë ai arsenal ushtarak e paramilitar aty e s’ka ditë asgjë asnjë vëzhgues i NATO-s. Çka po du me thanë është që nëse lëshohemi në atë mendësinë që s’ka nevojë me u brengosë askush për shtetin tonë as për sigurinë se i ka tjetër kush ato punë, e po i presim e këqyrim ata se çka po bëjnë me ne, sa ja vlen me jetu ashtu tek e fundit”, shtoi Vokrri.
Në lidhje me këtë çështje, KALLXO.com ka kërkuar edhe një sqarim nga ana e KFOR-it.
Të njëjtit në një përgjigje kanë thënë se qëndrimi për ngjarjet e ndodhura në Banjska është një çështje publike dhe ka qenë transparente dhe konsistente gjatë gjithë kohës.
“Ajo që ndodhi në Banjska ishte e papranueshme dhe ne vazhdojmë të bëjmë thirrje që autorët të dalin para drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
KFOR ka thënë se ishin në gjendje gatishmërie për mbështetje të Policisë së Kosovës në ngjarjet e shtatorit të vitit 2023 konkretisht në rastin Banjska.
“Ngjarjet në Banjskë panë një bashkëpunim shumë të mirë ndërmjet Policisë së Kosovës, misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe KFOR-it, respektivisht si reagues i parë, i dytë dhe i tretë i sigurisë. Policia e Kosovës udhëhoqi reagimin e menjëhershëm në terren, ndërsa KFOR-i dhe EULEX-i ishin të pranishëm dhe të gatshëm për të ofruar mbështetje, nëse kërkohet”, thuhet tutje në përgjigje.
Gjithashtu KFOR tha se reagimi efektiv i Policisë së Kosovës parandaloi çdo përshkallëzim të mëtejshëm të dhunës dhe ndihmoi në stabilizimin e shpejtë të situatës në zonë.
Tutje të njëjtit kanë thënë sërish se për shkak të situatës gjatë vitit 2023 KFOR-i ka rritur praninë e tij në Kosovë me rreth 1 mijë trupa shtesë nga rezervat.
“Ne kemi katërfishuar praninë tonë në veri dhe kemi trefishuar patrullimet, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Ata ishin hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat, aftësitë dhe fleksibilitetin për të vazhduar përmbushjen e mandatit të tij të OKB-së në mënyrë efektive, për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet tutje në përgjigjen e KFOR-it.
Sipas tyre ky ka qenë edhe përforcimi më i madh i kontingjentit të KFOR-it në Kosovë në një dekadë dhe se kjo tregon se NATO është e gatshme të ruajë paqen.
Fillet e planit që dështoi
13 tetor 2021 është data që shënon fillet e organizimit për sulmin terrorist në Banjskë. Të paktën kështu është thënë nga organet e drejtësisë në Kosovës.
Dyshimet e bazuara në dëshmi të fuqishme të Prokurorisë Speciale tregojnë se gjithçka filloi gjatë një takimi të mbajtur në Rashkë të Serbisë, ku pjesëmarrës në takim ishin edhe udhëheqësit shtetëror të Serbisë– përfshirë këtu presidentin serb, Aleksandar Vuçiq
“Sa herë tjetër do të mbrohemi deri në fund, deri në vdekje” – kështu është cituar Radoiçiq në aktakuzën e Prokurorisë, e që ky fjalim është vlerësuar se është kërcënues për organet e sigurisë në Kosovë.
Fjalimi i shkurtër i Radoiçiq, sipas aktakuzës, lë të kuptohet se ai e ka rolin kyç në udhëheqjen e grupeve kriminale që veprojnë në pjesën veriore.
Në këtë takim, organet e drejtësisë thonë se Radoiçiq e Vladimir Radivojeviq me pseudonimin “Mami” kërkuan edhe armatosjen dhe fillimin e rezistencës së armatosur kundër institucioneve të Kosovës në katër komunat veriore – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Hetimet e bëra në Kosovë dëshmuan se që nga viti 2021 e deri në shtator të 2023-ës, Radoiçiq e të tjerët planifikuan në detaje se si do të zhvillohej sulmi terrorist.
Dëshmitë, edhe të vizualizuara, tregojnë se grupi në fjalë përpos komunikimeve e takimeve që kishin me njëri-tjetrin për t’u bërë gati për sulm, edhe kryen ushtrime ushtarake në zona malore të Serbisë.
Plani i mirëmenduar për të marr nën kontroll veriun nuk iu zgjati shumë, videot që u bën publike treguan se të uniformuar dhe një-pas-një pjesëtarët e grupit u larguan nga Kosova.
Tre prej anëtarëve të grupit terrorist u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në mes Policisë dhe sulmuesve, teksa tre të tjerë u arrestuan, e të njëjtët vazhdojnë të jenë në paraburgim.
Minutë pas minute – si u mblodh grupi terrorist
Më 24.09.2023 rreth orës 02:09 dyshohet se filloi gjithçka, disa pamje që janë marrë nga një biznes në fshatin Joshevik vërtetojnë kohën e fillimit e të realizimit të planit.
Në orën e lartcekur u identifikuan dy kamionë duke hyrë në fshatin Banjskë e që kamionët më pas u përdorën nga grupi për të formuar barrikadën para fillimit të sulmit.
Pak minuta më pas, Policia e Kosovës kishte pranuar edhe informatën se ura ishte bllokuar. Në ato momente niset njësiti i policisë. Më pas me automjete të blinduara nisen edhe ekipe të tjera për në vendin e ngjarjes, ndërsa pas kësaj vjen edhe sulmi ndaj automjetit të blinduar të policisë me armë të kalibrit të rëndë.
Pamjet tregojnë se grupi terrorist para se të bllokonte rrugën te ura e Banjskës ka monitoruar vendin dhe automjetet.
Një automjet i tipit “Mercedes” kishte monitoruar rrugën kryesore nga udhëkryqi i Zherovinës deri tek rrethi “Fontanës” në Banjskë. E më pas rreth orës 01:50 ishte ndaluar dhe nga vetura kishin dalë grupi i parë i personave të armatosur, në pjesën e epërme të Manastirit, të cilët shkojnë në drejtim të bujtinës.
Pas disa minutave vetura largohet, ndërsa një tjetër veturë – “Jeep Cherockee” me ngjyrë të kaltër ka monitoruar pjesën e kufirit deri te rrethi i Banjskës.
Këto dy vetura më pas largohen nga fshati Banjskë në drejtim të udhëkryqit në rrugën kryesore që lidh Zveçanin me Leposaviqin apo në drejtim të fshatit Zherovnicë.
Automjeti i tipit “Mercedes” është vërejtur se ka pasur lëvizje të vazhdueshme përgjatë datave 23 dhe 24 shtator 2023.
Një pjesë e grupit të armatosur sipas dosjes ka arritur në Bujtinë në orën 01:59 të datës 24.09.2023.
Vetura “Mercedes” që kishte dërguar grupin në Banjskë në bazë të të dhënave, pra regjistrimit dhe pamjeve të pikë kalimit kufitar Jarinje, ishte larguar nga Kosova në drejtim të Serbisë në ora 17:32 me datë 25.09.2023.
Në bazë të pamjeve që ka siguruar hetuesia për veturën e dytë, atë të llojit “Jeep” shihet se në ditën kritike, rreth orës 02.11, ai bën disa lëvizje te ura e fshatit e cila ishte e bllokuar, e më pas largohet përfundimisht nga Banjska.
Vetëm pak minuta më pas, sipas dosjes, tre persona shihen në pamje të veshur me rroba civile duke u nisur nga ura në drejtim të fshatit. Të njëjtit pretendohen se kanë qenë vozitësit e kamionëve që u shfrytëzuan si barrikadë.
Në bazë të verifikimeve, vozitësi i veturës “Jeep” ishte Milan Nedelkoviq i cili kishte hyrë në Kosovë më datë 23.09.2023 në orën 18:22, ndërsa ishte larguar nga Kosova nga pika kufitare Jarinje më 24.09.2023 në orën 19:47.
Në orën 02:39 të 24 shtatorit 2023, pamjet dëshmojnë se në Banjskë u panë persona të uniformuar deri sa lëviznin. Në të njëjtën kohë pretendohet edhe se u bë njoftimi i njësive të policisë për bllokimin e urës.
Në ora 03:31, prokuroria thotë se në bazë të pamjeve ka arritur që të dëshmojë se ka ardhur edhe pjesa tjetër e grupit që iu printe Millan Radoiçiq. Nga ora 03:46 e tutje në pamje që ka në dorë Prokuroria Speciale, shihen pjesëtarët e grupit të armatosur rëndë dhe të uniformuar të cilët sulmojnë zyrtarët policorë në vendin e ngjarjes te ura e fshatit dhe më pas tentojnë të rigrupohen përsëri te Manastiri i Banjskës për të vazhduar më pas sërish sulmet ndaj policisë.
Në ora 04:19 të ditës kritike, në pamje që ka prokuroria shihet se edhe një pjesë e grupit me automjete bashkëngjitet te Manastiri.
Veturat lëvizin kohë pas kohe bashkë me pjesëtarët e grupit pas sulmit që ishte kryer ndaj njësitit në të cilin bënte pjesë edhe rreshteri që u vra, Afrim Bunjaku./Kallxo.com