Gjatë ditës së sotme, banorët e disa fshatrave të komunës së Gjilanit kanë shprehur shqetësime të larta, pasi vunë re lëvizje dhe stërvitje të forcave ushtarake serbe në afërsi të vijës kufitare me Kosovën.
Lidhur me këto shqetësime, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka konfirmuar zyrtarisht se ishte në dijeni të plotë për këtë aktivitet. Sipas tyre, bëhej fjalë për një trajnim të planifikuar të Forcave të Armatosura Serbe, i cili përfshinte parashutistë të angazhuar nga një helikopter në zonën e fshatit Muhovc.
Në një përgjigje zyrtare për redaksinë, KFOR-i sqaroi se ky operacion ishte një aktivitet rutinë i zhvilluar brenda territorit të Serbisë. Sipas vlerësimit të tyre, këto manovra ushtarake nuk përbëjnë asnjë kërcënim për sigurinë e përgjithshme apo stabilitetin e brishtë në rajon.
“Misioni i KFOR-it, nën udhëheqjen e NATO-s, po vazhdon ta monitorojë me vëmendje të shtuar situatën përgjatë gjithë Vijës Kufitare Administrative dhe në mbarë territorin e Kosovës. Ne mbajmë një komunikim të vazhdueshëm dhe koordinim efektiv me autoritetet lokale të sigurisë, si dhe me Shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura Serbe,” thuhet në deklaratën e misionit./lajmishqip.net









