Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të trajtuar në nivel strategjik situatën e rënduar në Lindjen e Mesme.
Sipas informatave zyrtare nga “10 Downing Street”, dy udhëheqësit kanë vënë theksin te rëndësia e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit, me qëllim eliminimin e bllokadave në transportin detar që po shkaktojnë rritje alarmante të kostove në tregun global.
“Gjithashtu, kreu i qeverisë britanike i përçoi presidentit amerikan ngushëllimet më të ndjera për ushtarakët e SHBA-së që humbën jetën gjatë këtij konflikti të ashpër”, bëri të ditur zëdhënësi për media.
Paralelisht, Starmer ka komunikuar edhe me kryeministrin e Kanadasë, Mark Carney, ku fokus qendror ishte goditja që mbyllja e vazhdueshme e kësaj pike strategjike ujore po i jep lundrimit dhe tregtisë ndërkombëtare.
Të dy liderët u pajtuan për t’i vazhduar konsultimet e tyre intensive lidhur me luftën në Lindjen e Mesme gjatë një takimi që pritet të realizohet këtë të hënë./lajmishqip.net









