Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar publikisht se ka dorëzuar aktakuzë të ndryshuar kundër ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj.
Kilaj ishte arrestuar në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimin për pengim të drejtësisë. Në maj, ai u lirua nën kushte të rrepta, por vazhdoi të ngelte si i dyshuar. Si kusht paraprak e pati shumën prej 30 mijë eurosh të cilën duhej t’ia jepte administratores si garanci financiare.
Me rastin e lirimit, ishte bërë e ditur se është pezulluar kërkesa e shqyrtimit të aktakuzës ndaj tij, me synimin se do të paraqitet aktakuzë e ndryshuar. Tash Specialja ka njoftuar se aktakuza e ndryshuar është dorëzuar, por ajo ende s’është bërë publike.
“Në vazhdim të njoftimit të mëparshëm lidhur me çështjen Kilaj në muajin maj, më 18 korrik ZSP-ja ka njoftuar publikisht Gjykatësen e Procedurës Paraprake se ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar kundër Isni Kilajt. Njoftimi, i cili nuk përfshin detaje të mëtejshme, është i disponueshëm këtu”, bëhet e ditur në njoftimin e Speciales.
Isni Kilaj ishte arrestuar në nëntorin e vitit të kaluar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare” dhe “shkelje e sekretit të procedurave”.