Me urdhër të SPAK është arrestuar sot (23 mars), kryetari në detyrë i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro pasi akuzohet nga prokuroria e Posaçme se ka shpërdoruar detyrën duke tjetërsuar dy prona. Burimë për Report Tv mësuan se Jorgo Goro u arrestua në Dhërmi, nga agjentët e SPAK, sapo është ngritur nga kafja rreth orës 16 e 45, ku po qëndronte bashkë me disa miq të tij. Të njëjtat burime thonë se agjentët po e mbanin në monitorim.
GJKKO ka caktuar masë arrest shtëpie edhe për tre zyrtarë të tjerë, për kreun e kadastrës, Bilbil Aliaj, juristin Vezir Gjikoka (ekzekutuar) dhe Jerasimo Bashi, (pa ekzekutuar) Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë. Si dhe ka caktuar masën arrest me burg dhe ka shpallur në kërkim Stavri Mëhillin, i cili ka përfituar në 5512 m2 tokë bujqësore në mënyrë të përdrejtë.
Episodi i parë për tjetërsim prone nga shteti në favor të privatit
Konkretisht, sipas SPAK, në rastin e parë Jorgo Goro ka falsifikuar dokumentet e më pas ka regjistruar 5512 m2 tokë shteti në favor të privatit. Në cilësinë e kryetarit të bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, në bashkëpunim me vartësin e tij, Jerasmo Bashin, asokohe drejtor i Mbrojtjes dhe Menxhimit të Tokës në bashkinë e Himarës, pa bërë asnjë verifikim në bazë të ligjit, kanë përcjellë pranë organeve kompetente dokumenta tërësisht të falsifikuara duke bërë të mundur më pas regjistrimin e një sipërfaqe prej 5512 m2 tokë bujqësore në pronësi shtet, në favor të subjektit privat.
‘Kjo sipërfaqe toke e ndodhur në Dhërmi, Vlorë, pas regjistrimit në regjistrat publikë falë edhe veprimeve të kundërligjshme të kreut të Kadastrës Bilbil Aliaj dhe Vezir Gjikokës, jurist në Kadastër, është tjetërsuar në favor të një subjekti privat, duke zhveshur shtetin nga pronësia mbi të.’- thotë SPAK.
Sipas SPAK, ky tjetërsim është përfituar në mënyrë të padrejtë nga Stavri Mëhilli. Aktualisht kjo sipërfaqe tokë bujqësore rezulton e sekuestruar nga GJKKO.
Episodi dy, Jorgo Goro nga tokë bujqësore prej 5080m ia kaloi shtetit, ku më pas u dha leje për ndërtimin e një kompleksi turistik
Sipas Prokurorisë së Posaçme, në cilësinë e kryetarit të bashkisë, Jorgo Goro, po në bashkëpunim me Jerasimo Bashi, drejtor i Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në bashkinë Himarë, ka zhvendosur në mënyrë faktike në terren një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.
‘Shtetasi nën hetim ka tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila rezulton të ketë shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi të dyja sipërfaqet në fjalë të cilat janë kufitare (10.592 m2). Në këto rrethana Jorgo Goro dhe Jerasimo Bashi, dyshohen për kyerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.’- njofton SPAK.