Deputeti i “Lista Guxo”, pjesë e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka analizuar situatën e tensionuar politike në vend gjatë një bisede të drejtpërdrejtë në emisionin “Review” në Euronews. Ai u ndal te ngërçi që ka lënë Kosovën pa kreun e shtetit, duke e cilësuar këtë periudhë si mjaft kritike.
Kraki deklaroi se gjendja aktuale institucionale është e jashtëzakonshme, pasi sipas tij, kalendari legjislativ ka hyrë në konflikt me atë presidencial. Kjo përplasje afatesh, sipas deputetit, ka krijuar një mospërputhje me parashikimet kushtetuese, duke lënë legjislaturën e re me shumë pak kohë në dispozicion për zgjedhjen e presidentit.
Gjatë intervistës, ai mbështeti qëndrimin e presidentes Vjosa Osmani, duke pohuar se ajo kishte të drejtë kur ia atribuoi vakumin institucional mosveprimit të ligjvënësve. Kraki theksoi se ishte përgjegjësi direkte e Kuvendit që të siguronte kuorumin e nevojshëm prej 80 votash dhe të përmbyllte procesin brenda afatit ligjor.
Në këto rrethana, deputeti i Listës Guxo e konsideron të domosdoshëm interpretimin nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Sipas tij, vetëm ky institucion mund të sqarojë rrugën që duhet ndjekur, ndërsa pritet të vendoset nëse dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit do të mbetet në fuqi, duke çuar vendin në zgjedhje të parakohshme.
“Gjendemi në një situatë të paprecedentë ku kalendari legjislativ shkel atë presidencial pa dëshirën e askujt. Afatet nuk po përputhen dhe legjislatura e re nuk e pati mundësinë e plotë 60-ditore të garantuar me Kushtetutë. Prandaj, intervenimi i Gjykatës Kushtetuese është i pashmangshëm për të na treguar se si të veprojmë në këtë rast të specifik,” përfundoi Kraki. /lajmishqip.net









