Zona e Prevallës tash e disa javë po ballafaqohet me zjarrin e madh që e ka përfshirë atë pjesë.
Banorët po ndihen të rrezikuar shkaku që flakët kanë nisur t’iu ofrohen edhe shtëpive të banimit.
Madje disa thanë që nga Prevalla janë larguar edhe turistët.
Lidhur me gjendjen e cila po mbizotëron atje, detaje ka dhënë drejtoresha për Emergjenca në komunën e Prizrenit, Ramize Shala.
Ajo tha se gjendja nuk është dhe aq alarmante, pasi që në vendin e ngjarjes janë njësitet relevante të policisë dhe zjarrfikësve.
“I kemi marrë të gjitha masat e sigurisë për të qenë më afër qytetarëve. Jemi në dijeni për situatën dhe jemi në gatishmëri për çdo gjë që na ndodh. Nëse zjarri do t’u ofrohet shtëpive, ekipi i cili ndodhet atje, do të kërkoj përforcime, do të mobilizohemi edhe do të shkojmë atje”, tha ajo në Klan Kosova.
Shala theksoi se “Terreni është i rrezikshëm dhe mund t’u kushtojë me jetë zjarrfikësve”.
Për ta përballuar më lehtë situatën, është kërkuar edhe ndihma e KFOR-it, që të intervenojë.
Por, misioni i NATO-s në Kosovë, ka thënë se do të intervenojë atëherë kur në rrezik të jenë jetët e qytetarëve.