Drejtori i Drejtorisë së Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor të Serbisë në Kosovë i cili njëkohësisht është edhe anëtari i kryesisë së Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë se “uzurpatorët që kanë grabitur pronën e shtetit të Serbisë” kanë “penguar më shumë se 40 familje të marrin pagat e tyre, ndërsa më shumë se 30.000 persona të marrin shërbime nga institucionet e vendosura në objektin e Sigurimit Pensional në Mitrovicë”.
Simiq ka ftuar KFOR-in dhe përfaqësuesit e tjerë ndërkombëtarë në Kosovë që të vijnë dhe me reagimin e duhur “t’u mundësojnë serbëve në Kosovë të drejtën për të punuar dhe jetuar”.
“Erdhën uzurpatorët, i grabitën pronat e shtetit të Serbisë, ua pamundësuan këtyre njerëzve që të punojnë dhe jo vetëm të punojnë, këtu bukën e sigurojnë mbi 40 familje, e nga puna e këtyre institucioneve shërbime marrin më shumë se 30 mijë persona. Këto nuk janë institucione paralele, sepse shërbimet që ofrohen nga këto institucione edhe zyra për Kosovë edhe Qarku i Mitrovicës edhe Qendra për Punë Sociale edhe Fondi Pensional, nuk ofrohen nga askush tjetër”, u tha Simiq gazetarëve para ndërtesës së mbyllur.
Ai ka thënë se KFOR-i vazhdimisht bën thirrje për lirinë e lëvizjes, Simiq i ftoi ata që të vijnë dhe të mos qëndrojnë mënjanë, por t’u lejojnë punonjësve të këtyre institucioneve të drejtën për të punuar.
“I ftoj ta mundësojnë këtë liri të lëvizjes në veprim, për të mbrojtur “popullin serb”. Ftoj QUINT-in, BE-në, UNMIK-un, të gjithë ata që i dënuan këto veprime, të vijnë dhe të mbështesin këta njerëz dhe të drejtën për punë. E drejta e serbëve për të jetuar në Kosovë është e vetmja mënyrë e jo kumtesat anemike që i po dëgjojmë për dy vjet”, ka thënë Simiq.