Malisheva është bërë komuna e radhës, pas Prizrenit, ku janë konstatuar mospërputhje të mëdha gjatë rinumërimit të plotë të votave. Dyshimet për manipulim të rezultateve kryesohen nga Partia Demokratike e Kosovës, ku Gazmend Maliqaj mban vendin e parë me një zbritje prej 927 votash. Kjo shifër sugjeron se mbi 47% e votave të tij në vendlindje ishin të pasakta. Pas tij renditen Fetah Paçarizi me 728 vota më pak, Adnan Thaqi me 703, Hajdar Beqa me 244 dhe Arbnore Salihu me 209 vota të hequra, njofton RTV Dukagjini.
Edhe brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës u vërejtën luhatje, ku Gëzim Hazrolli kryeson me 340 vota diferencë nga numërimi fillestar. Ndërkohë, kandidatët Lumir Abdixhiku, Xhavit Uka, Esra Myrtezani dhe Kujtim Shala kanë pësuar ndryshime në shifra dyshifrore.
Procesi i rinumërimit në Malishevë nuk la pa prekur as Lëvizjen Vetëvendosje. Kandidatit Valon Hoti i janë zbritur 312 vota, i ndjekur nga Gani Krasniqi me 271 vota më pak. Ndryshime dyshifrore janë shënuar edhe te Adnan Rrustemi, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca.
Në këtë valë dyshimesh është përfshirë edhe Nisma Socialdemokrate në bastionin e saj. Vesel Krasniqit i janë hequr 264 vota dhe Besjanë Mazrekut 145, ndërsa Xhevahire Izmaku, Mevludin Krasniqi dhe Fatmir Limaj kanë pësuar rënie nën 100 vota. Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Enver Hoti mbeti pa 128 vota, teksa të tjerët patën dallime më të vogla.
Deri në orët e mbrëmjes, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve ka përfunduar rinumërimin në 1,142 vendvotime nga gjithsej 2,557, duke përmbyllur procesin në 11 komuna deri tani. /lajmishqip.net
