Shqipëria ndërmerr hapin e madh diplomatik: Irani shpallet zyrtarisht shtet sponsor i terrorizmit

3 minutes, 32 seconds Read

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar zyrtarisht rezolutën përmes së cilës Republika Islamike e Iranit shpallet shtet sponsor i terrorizmit.

Ky akt juridik u votua me gjithsej 79 vota pro, teksa u regjistrua vetëm një abstenim dhe asnjë votë kundër nga deputetët pjesëmarrës.

e designplus-ks.com
Smart Watches
Buy Now
Headphones
Buy Now

Miratimi i dokumentit u realizua pa praninë e përfaqësuesve të opozitës, të cilët kishin paralajmëruar mospjesëmarrjen në këtë seancë që një ditë më parë.

Nga radhët e opozitës u pretendua se thirrja e mbledhjes u bë pa një rend dite të miratuar, duke e cilësuar atë si një “agjendë personale” të kryeministrit Edi Rama.

Projekt-rezoluta:

Rezoluta për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si shtet sponsor i terrorizmit dhe entitet që përdor mjete terroriste.

Kuvendi i Shqipërisë, duke marrë parasysh se Republika e Shqipërisë mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj parimeve të Kartës së OKB-së, të drejtës ndërkombëtare dhe mbrojtjes së sigurisë globale; Duke vlerësuar se terrorizmi në të gjitha format e tij përbën një nga kërcënimet më serioze për paqen ndërkombëtare dhe shoqëritë demokratike;

Duke u bazuar në raportet e besueshme ndërkombëtare që dokumentojnë përfshirjen e autoriteteve të Teheranit në financimin, trajnimin dhe drejtimin e grupeve të armatosura që cilësohen si terroriste;

Duke pasur parasysh se Irani, përmes institucioneve si Garda Revolucionare (IRGC), ka mbështetur aktivitete që destabilizojnë Lindjen e Mesme dhe rajonet e tjera; Duke qenë se Shqipëria ka qenë cak i agresioneve kibernetike, përfshirë sulmin e rëndë të vitit 2022 ndaj institucioneve dhe tentativat e fundit ndaj sistemeve të Kuvendit; Duke konsideruar se aktet e dhunës dhe ndërhyrjet në infrastrukturat kritike të shteteve sovrane përbëjnë shkelje të ligjit ndërkombëtar dhe forma të pastra të terrorizmit; Duke vlerësuar se përdorimi sistematik i frikësimit përmes grupeve “proxy” dhe mjeteve hibride është i papajtueshëm me normat e marrëdhënieve paqësore ndërkombëtare; Duke qenë se Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe kandidate për në BE, e bazon politikën e saj në parimet e solidaritetit demokratik dhe sundimit të ligjit; Duke konfirmuar se populli dhe institucionet shqiptare mbeten të vendosura në luftën kundër terrorizmit dhe llogaridhënien e atyre që e sponsorizojnë atë;

Kuvendi i Shqipërisë:

  1. Dënon me termat më të ashpër veprimet e qeverisë iraniane që nxisin terrorizmin dhe aktivitetet destabilizuese, duke shprehur solidaritet me Turqinë dhe vendet e Gjirit Persik.

  2. Dënon sulmet kibernetike ndaj institucioneve të Republikës së Shqipërisë, përfshirë goditjen e vitit 2022 dhe përpjekjet e fundit për ndërhyrje në sistemet parlamentare.

  3. Shpall zyrtarisht Republikën Islamike të Iranit si shtet sponsor të terrorizmit që përdor mjete terroriste për realizimin e objektivave të politikës së jashtme.

  4. Dënon aktivitetet e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) për rolin e tyre në mbështetjen e organizatave terroriste dhe operacioneve që cenojnë sigurinë.

  5. I kërkon Qeverisë së Republikës së Shqipërisë që: – të rritë masat kombëtare dhe ato ndërkombëtare për të luftuar kërcënimet kibernetike dhe terrorizmin shtetëror;

– të bashkëpunojë ngushtë me aleatët për parandalimin e financimit të aktiviteteve që lidhen me strukturat shtetërore iraniane;

– të mbështesë nismat ndërkombëtare që synojnë llogaridhënien për aktet e terrorizmit dhe shkeljet e së drejtës ndërkombëtare.

– të shpallë menjëherë Gardën Revolucionare Islamike (IRGC) si organizatë terroriste;

– të shpallë Hezbollahun si organizatë terroriste “proxy” të Iranit, duke iu bashkuar kështu qëndrimit të SHBA-së, Gjermanisë dhe Holandës.

  1. Fton vendet demokratike dhe partnerët ndërkombëtarë të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit shtetëror dhe të forcojnë bashkëpunimin në këtë fushë.

  2. Rikonfirmon zotimin e palëkundur të Shqipërisë për paqe, vlera demokratike dhe mbrojtjen e civilëve nga çdo akt terrori.

  3. Udhëzon që kjo rezolutë t’u përcillet qeverisë shqiptare, OKB-së, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë strategjikë të vendit /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme