“Shërojmë stresin, fejesat, problemet me lukthin, me fatin..”, çka pretendonte sharlatani Bio Mulaku i arrestuar për mashtrim

1 minute, 24 seconds Read

“Nazmi Bio Mulaku” i njohur në rrjete sociale për veprimtarinë e tij të dyshimtë, që gjoja se shëron sëmundje të ndryshme ka rënë sot në prangat e Policisë. I dyshuar për mashtrim dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, Mulaku dhe një person tjetër kanë përfunduar në mbajtje, raporton Gazeta Sinjali.

Videot e Mulakut në TikTok e Facebook kanë bërë bujë në vazhdimësi, sidomos kohët e fundit. Qytetarë nga vende të ndryshme kanë paguar për gjoja shërim që doli të jetë veç mashtrim.

Në faqen e tij në Facebook thuhet se “Bio Mulaku shëron sëmundje të panjohura nga mjekësia”.

“Per te gjithe te interesuarit sherojme keto

•Stresi •Degjimin e zerave •Dhimbjet muskulore •Shtatzanine •Migrenen •Autizmin •Magjine e zeze •Problemet familjare •Fejesat •Martesat •Problemet me lukthin •Problemet me pamjen •Problemet me frymemarrje •Problemet me fatin bllokaden •Problemet me pune dhe biznes •Sherojme te gjitha semundjet perpos semundjeve nga lindja” – thuhet në njërin nga postimet e tij.

Nga Prokuroria Themelore në Mitrovicës kanë njoftuar se brenda afatit ligjor do të ushtrojnë edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

“Të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit gjenden në ndalim 48 orësh, dhe gjatë ditës së sotme (16 korrik) Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të i paraqesë Gjykatës Themelore – Dega Vushtrri kërkesë për caktimin e masës së sigurisë – masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.” – ka njoftuar Prokuroria.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Publikime te ngjashme