Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Donald Trumpin, ku temë qendrore ishte situata në Grenlandë dhe Arktik. Edhe pse u tregua i rezervuar për detajet, Rutte theksoi se “do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, duke konfirmuar takimin e tyre të radhës në Forumin Ekonomik të Davos.
Në të njëjtën kohë, ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, ka deklaruar nga Oslo se përpjekjet diplomatike po vazhdojnë për të bindur Trumpin të heqë dorë nga ideja e zotërimit të Grenlandës. Pas takimeve me zyrtarët e lartë amerikanë, JD Vance dhe Marco Rubio, është dakorduar krijimi i një grupi të posaçëm pune për të gjetur një “rrugë të përbashkët”, takimi i parë i të cilit pritet brenda pak javësh. Rasmussen nënvizoi se në këto diskutime nuk duhet harruar pika kritike e luftës në Ukrainë.
Megjithatë, tensionet mbeten të larta. Tetë shtete evropiane, përfshirë Danimarkën, Gjermaninë, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë lëshuar sot një deklaratë të fortë të përbashkët. Ato kanë dënuar kërcënimet e SHBA-së për vendosjen e tarifave lidhur me çështjen e Grenlandës.
“Kërcënimet me tarifa dëmtojnë marrëdhëniet transatlantike dhe rrezikojnë një spirale të rrezikshme. Ne do të qëndrojmë të bashkuar për të mbrojtur sovranitetin tonë”, thuhet në reagimin e fuqive evropiane./lajmishqip.net
