Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan të premten se kanë pezulluar për një kohë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën. Ky vendim pason paralajmërimet se në fund të këtij viti Uashingtoni planifikon të nisë një dialog të ngjashëm me Serbinë.
Në fillim të gushtit, sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio, deklaroi se ishte pajtuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, që SHBA dhe Serbia të zhvillojnë së bashku dialogun strategjik deri në fund të vitit.
Pas takimit në Departamentin e Shtetit, Rubio shkroi në platformën “X”: “Jemi të përkushtuar për marrëdhënie me dobi të ndërsjellë me Serbinë, të cilat sjellin përfitime për qytetarët tanë dhe interesat tona.”
Edhe ministri serb Gjuriq, pas takimit u shpreh se kjo përbënte një mundësi të madhe për Serbinë për të qenë vendi i parë në rajon që fillon bashkëpunimin strategjik me administratën e presidentit Donald Trump.
Nga ana tjetër, në janar të këtij viti, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pati deklaruar se Kosova dhe SHBA ishin në prag të finalizimit të një marrëveshjeje për dialogun strategjik, por ky proces u ndal sot me vendimin e Uashingtonit për pezullim.
Në komunikatën e ambasadës amerikane në Prishtinë u theksua se pezullimi lidhet me veprimet e Qeverisë në detyrë, të cilat sipas SHBA-së kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke vështirësuar bashkëpunimin mbi prioritetet e përbashkëta.
Dialogu strategjik është një mekanizëm që Departamenti i Shtetit përdor me shtete të ndryshme për të avancuar marrëdhëniet bilaterale përmes bisedimeve të nivelit të lartë mbi fusha të tilla si mbrojtja, siguria, energjia, mjedisi dhe bashkëpunimi ekonomik./lajmishqip.net