SHBA paralajmëron Kanadanë për paktin me Kinën: Do të pendoheni që hapët kufijtë për makinat e tyre

1 minute, 12 seconds Read

Uashingtoni zyrtar ka shprehur pakënaqësi ndaj vendimit të fundit të qeverisë kanadeze për të lejuar importimin e deri në 49,000 automjeteve elektrike kineze me tarifa të ulëta. Përfaqësuesi i Tregtisë i SHBA-së, Jamieson Greer, e ka cilësuar këtë lëvizje si “problematike”, duke paralajmëruar se Otava mund të pendohet për këtë hap në të ardhmen.

Në një intervistë për CNBC, Greer theksoi dallimin në qasje mes dy vendeve fqinje: “Arsyeja pse nuk shihni shumë makina kineze në SHBA është sepse ne aplikojmë tarifa për të mbrojtur punëtorët dhe qytetarët tanë amerikanë”.

Sipas tij, Kanadaja e pranoi këtë marrëveshje për automjetet elektrike duke kërkuar në këmbim lehtësimin e tarifave për produktet e saj bujqësore, një tregti që Greer beson se “në afatgjatë nuk do t’u pëlqejë”. Ai gjithashtu rikujtoi se rregullat e reja të SHBA-së (janar 2025) për sigurinë kibernetike në automjete mbeten një barrierë e fortë për mjetet kineze.

Ky reagim vjen pasi udhëheqësi kinez Xi Jinping dhe kryeministri kanadez Mark Carney njoftuan në Pekin një “riformatim” të marrëdhënieve dypalëshe. Pakti parashikon që Kina të ulë tarifat për vajin e kanolës kanadeze nga 85% në 15%, ndërsa Kanadaja do të aplikojë një tarifë modeste prej 6.1% për automjetet elektrike kineze, duke sinjalizuar fundin e tensioneve tregtare dhe hapjen ndaj investimeve./lajmishqip.net

Publikime te ngjashme