Serwer: Ballkani do të jetë me fat nëse Grenelli qëndron i zënë me Venezuelën dhe Korenë e Veriut

1 minute, 23 seconds Read

Daniel Serwer, profesor universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njohës i dalluar i zhvillimeve politike në rajon, ka thënë se Ballkani do të jetë “me fat” nëse emisari i përzgjedhur presidencial për misione speciale, Richard Grenell, qëndron i zënë me Venezuelën dhe Korenë e Veriut.

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se ka përzgjedhur Grenellin si të dërguar presidencial për misione speciale. Grenelli, gjatë administratës së parë të Trumpit, ka shërbyer në pozitën e të dërguarit special për dialogun Kosovë-Serbi.

“Ballkani do të jetë me fat nëse Grenelli qëndron i zënë me Venezuelën dhe Korenë e Veriut. Ai iu afrua një katastrofe atje në administratën e parë të Trumpit”, ka shkruar Serweri, duke kujtuar se Grenelli ka qenë pro ndarjes së Kosovës, duke qenë se ka shtyrë përpara propozimin për ripërcaktimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Do të ishte një abuzim i rëndë nga Grenelli që të përfshihej tani në Ballkan. Por në një administratë që nuk e di se çfarë do të thotë ‘konflikti i interesit’ kjo edhe mund të ndodhë. Kosova dhe Bosnja do të ishin viktimat”, ka shtuar mes tjerash Serweri.

Grenelli ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Gjermani, si i dërguar i posaçëm për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë, dhe si ushtrues detyre i shefit të inteligjencës kombëtare, në mandatin e parë të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë nga 2017 deri 2021.

Publikime te ngjashme