Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka zbuluar se nuk ka pasur asnjë kontakt me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, që nga takimi i së premtes në Zyrën Ovale me presidentin amerikan Donald Trump. Këto komente Rubio i bëri gjatë një interviste për ABC News, shkruan Telegrafi.
Vizita e Zelenskyt në Shtëpinë e Bardhë të premten përfundoi para kohe pas një përplasjeje të tensionuar me Trump dhe JD Vance. Tensionet nisën kur Vance i tha Zelenskyt: “Mendoj se është mungesë respekti për ju të vini në Zyrën Ovale për të provuar ta diskutoni këtë para mediave amerikane”.
Kur Zelensky tentoi të kundërshtonte, Trump ngriti zërin dhe e paralajmëroi: “Ti po luan bixhoz me Luftën e Tretë Botërore dhe kjo që po bën është shumë mungesë respekti për vendin, këtë vend që të ka mbështetur shumë më tepër se sa shumë njerëz thonë se duhet të kishte mbështetur”.
Si rezultat i kësaj përplasjeje, Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë pa nënshkruar marrëveshjen e shumëpritur për mineralet dhe pa mbajtur një konferencë të përbashkët me Trumpin.