Kreu i Partisë Republikane të Serbisë, Nikolla Sanduloviq, ka komentuar një takim të përfaqësuesve opozitarë serbë, të realizuar me të dërguarin evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Sanduloviq ka thënë se ajo nuk është opozita e vërtetë serbe, por partia e tij që mund ta zgjidhë çështjen Kosovë-Serbi dhe mund t’u dalë zot shumë proceseve të tjera.
“Opozita e vërtetë serbe, që është kundërshtare e vërtetë e Aleksandar Vuçiqit tuaj të dashur, e cila do, mundet dhe di që ta zgjidhë çështjen e Kosovës dhe Serbisë, e cila me të vërtetë dëshiron ta sjellë Serbinë në BE dhe NATO, e cila do dhe mundet ta heqë qafe ndikimin rus dhe kinez në Serbi, është vetëm Partia Republikane me mua në krye”, ka shkruar Sanduloviq.
Ai ia ka përmendur Lajçakut edhe mosreagimin e tij për arrestimin dhe rrahjen që i bëri shërbimi sekret serb – BIA.
“Ju, Miroslav Lajçak heshtët rreth tentimvrasjes ndaj meje nga Vuçiqi juaj i dashur, sikurse edhe opozita e rreme”.
Sanduloviq ka thënë se Lajccak nuk mund të përfaqësojë askënd, ngase sipas tij, politika e Lajçak në zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi, ka pësuar një fiasko politike dhe njerëzore.