Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit për pesë të dyshuarit të përfshirë në gjuajtjen me armë në rrugën ‘Gazmend Zajmi’ në Aktash të Prishtinës, ku mbet një i vrarë dhe disa të plagosur.
Gazeta Insajderi raportoi se gjykata të martën ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Korab Gashin, Valdrin Ademin, Robert Llumnicën, Salih Sekiraqën dhe Fatos Abazin.
Gjykimi u mbajt përbrenda hapësirave të QKUK’së.
Në aktvendimin të cilin e ka parë Insajderi, thuhet se avokati i Salih Sekiraqës, Naser Sopjani, ka deklaruar se ky i fundit ishte duke qëndruar në lokal me të birin e tij 12-vjeçar në natën kritike.
“E kundërshtojmë kërkesën e prokurorisë, pasi që nuk ekziston asnjë nga kushtet e caktuara që flasin se Salih Sekiraqa, fillimisht të ketë kryer ndonjë vepër penale. Përkundrazi, në këtë rast penal, ai mund të jetë vetëm në cilësi të të dëmtuarit, sepse i njëjti është sulmuar në befasi, në lokalin e tij, ku ka qenë i ulur në tavolinë, së bashku me djalin e tij 12 vjeçar dhe është sulmuar me armë zjarri nga persona të panjohur me armë AK47 në një distancë jo më larg se 2 metra, derisa Salihu ka qenë ulur në tavolinë”, citohet të ketë thënë në aktvendim mbrojtja e Sekiraqës.