Ministrja e MINT, Mimoza Kusari, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për caktimin e çmimeve të derivateve.
Sipas këtij vendimi marzha tregtare maksimale e lejuar:
Shitja me shumicë: deri në 2 eurocentë për litër
Shitja me pakicë: deri në 12 eurocentë për litër
“Sot nënshkrova vendimin për caktimin e çmimeve të produkteve të naftës, pas rritjes së menjëhershme të çmimeve të derivateve si rrjedhojë e ngjarjeve në Lindjen e Mesme. Ky vendim ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë e të ndershme në tregun vendor. Vendimi vjen pas mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, analizimit të evidencave ditore nga Dogana e Kosovës dhe raporteve të Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, ku është konstatuar se rritjet e çmimeve nga importi janë reflektuar menjëherë në çmimet e shitjes”, tha ajo.









