Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shkëmb Manaj, ka lëshuar një paralajmërim që mund të ndryshojë rrënjësisht skenën politike, duke sinjalizuar një afrim të mundshëm të Vjosa Osmanit drejt subjektit të saj të mëparshëm.
Zyrtari i lartë i LDK-së ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Kurti, duke e bërë përgjegjës për situatën e krijuar që e detyroi vendin t’i drejtohet sërish kutive të votimit.
“Dekreti i presidentes së Republikës, znj. Vjosa Osmani, për shpërndarjen e legjislativit pas dështimit të procesit për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, është në përputhje absolute me Kushtetutën. Çdo mosveprim tjetër do të përbënte një shkelje të rëndë kushtetuese. Akti më i lartë juridik i vendit e ka saktësuar se presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit aktual. Ky është kufiri final kushtetues, jashtë të cilit nuk mund të operohet me afate shtesë, dhe asnjë institucion, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, nuk ka autoritet ta pezullojë apo ta zgjasë këtë kohë. Të gjitha afatet e tjera mbeten thjesht procedurale në funksion të këtij afati final.”
Kjo qeverisje, sipas tij, pa asnjë arsye valide e solli shtetin në një krizë që pashmangshëm prodhon zgjedhje të reja. Manaj shtoi se pushteti nuk e pranoi as Vjosa Osmanin për ta vazhduar mandatin e dytë, duke e mbyllur reagimin me një ftesë për përballje në garën elektorale./lajmishqip.net









