Nga 1 janari 2026, paga minimale në Shqipëri do të rritet në 500 euro. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama, duke theksuar se nga kjo rritje do të përfitojnë 307 mijë e 850 punonjës në të gjithë vendin.
Rama tha se kjo është vetëm faza e parë e rritjeve të planifikuara, ndërsa synimi i qeverisë është që paga minimale të arrijë në 700 euro brenda mandatit aktual qeverisës.
“Nga 1 janari 2026 do të rritet paga minimale për 307 mijë e 850 punonjës, të cilët do të marrin shumën e premtuar prej 500 eurosh. Kjo është vetëm e para dhe jo e fundit në këtë mandat, pasi paga minimale do të shkojë në 700 euro,” deklaroi Rama.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se qeveria do të subvencionojë për një periudhë 9-mujore me 90 milionë euro shtesën e kostove të sigurimeve për punonjësit e sektorit privat.
“Ato 83 mandate që ju na dhatë për të qeverisur Shqipërinë dhe për ta çuar vendin drejt BE-së janë 83 arsye për të mos ndalur punën. Do të punojmë pa pushim për ta kthyer besimin tuaj në rezultate konkrete,” shtoi Rama.
Në vijim, kryeministri u ndal edhe te projektbuxheti i vitit 2026, duke njoftuar rritje të konsiderueshme të pensioneve.
“Pensionistët do të jenë përfituesit kryesorë të buxhetit të ri. Në vitin 2026 do të ketë 100 milionë euro shtesë përveç indeksimit, ndërsa në vitet në vijim rritja do të jetë progresive: 200 milionë në 2027, 300 milionë në 2028, 400 milionë në 2029 dhe 500 milionë euro në 2030 – gjithsej 1.7 miliardë euro më shumë për pensionistët gjatë mandatit tonë të katërt,” përfundoi Rama./lajmishqip.net
