Fillimisht një shpërthim i madh… më pas lëkundjet sizmike… Izraeli kreu sulme të reja ajrore në periferitë jugore të kryeqytetit të Libanit, një bastion i Hezbollahut që ka parë shënjestrime të përditshme si pjesë e një fushate të gjerë bombardimesh izraelite.
Më shumë se 1,400 njerëz kanë vdekur dhe mbi 1 milion janë zhvendosur në Liban, sipas ministrisë së shëndetësisë të këtij shteti. Forcat Ajrore izraelite njoftuan se në sulmet e fundit kishin shënjestër një sërë deposh armësh dhe objektesh infrastrukturore që i përkasin organizatës Hezbollah në Bejrut.
“Organizata terroriste Hezbollah ka vendosur qëllimisht objektet e saj të prodhimit të armëve dhe armatimin nën ndërtesa banimi në zemër të qytetit të Bejrutit, duke vënë në rrezik popullsinë civile të zonës”, lexohet në një deklaratë të IDF.
Hezbollahu thotë se në orët e fundit ka pasur 25 sulme ajrore. Megjithatë pretendon se ka shtyrë pas një tentativë të ushtrisë së Izraelit për të pushtuar disa zona në jug të Libanit. Ndërkohë, Hezbollahu ka humbur kontaktet me Hashem Safieddine, pasuesin e mundshëm të liderit të tij të ndjerë Hassan Nasrallah. Kështu raporton CNN, duke cituar një burim libanez të sigurisë. Një sulm izraelit kishte në shënjestër Safieddine të premten.
Kjo vjen në një kohë, kur Izraeli nuk i ka dhënë garanci Shteteve të Bashkuara të Amerikës se nuk do të synojë objektet bërthamore iraniane. Këtë ia konfirmoi CNN një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, ndërsa rajoni po përgatitet për përgjigjen e Izraelit ndaj breshërisë së raketave iraniane.
Sakaq, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kritikuar presidentin francez Emmanuel Macron lidhur me thirrjen e tij për të ndaluar dërgesat e armëve në Izrael për përdorim në Gaza.
“Turp për ta”, u përgjigj kreu I qeverisë së Tel Avivit duke iu referuar Macron dhe liderëve të tjerë perëndimorë që kanë bërë thirrje për atë që ai e përshkroi si një embargo armësh ndaj Izraelit.