Radoniqi: Të dhënat e KQZ-së do t’i prezantojmë manualisht

1 minute, 56 seconds Read

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se faqja zyrtare e këtij institucioni nuk është duke funksionuar dhe si pasojë nuk do të mund të publikohen të dhënat preliminare nga zgjedhjet nacionale përmes platformës online.

Radoniqi, ka thënë se të dhënat do të publikohen në formë manuale.

“Për arsye se aplikacioni për përpunimin dhe prezantimin e të dhënave nuk ka funksionuar, ne nuk po arrijmë t’i transmetojmë këto të dhëna përmes platformës elektronike. Andaj KQZ kërkon ndjesë të gjithë qytetarëve që kanë pritur me shumë të drejtë rezultat preliminare të votimeve nga dita e sotme”, ka thënë ai.

Ai ka siguruar që mos sigurimi i të dhënave në mënyrë elektronike nuk do të ketë ndikim në rezultatet.

“Në këto rrethana, KQZ ka shqyrtuar situatën dhe ka vendosur që të ë mbledh të dhënat në mënyrë manuale nga të gjitha vendvotimet përmes formularëve të rezultateve për subjektet politike, të cilat janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve”, ka thënë ai.

Radoniqi ka thënë se stafi i KQZ-së do të qëndrojë gjatë gjithë natës në objektin e institucionit duke numëruar votat nga fletëvotimet në mënyrë manuale. Ai ka thënë se sonte s’do të ketë konferencë për media, për shkak se procesi do të zgjatet pas ndërrimit të mënyrës së publikimit.

“Për këtë dështim të sistemit, do të kemi një analizë më vonë”, ka thënë ai.

KQZ numëron mbi 50% të votave, VV prin me 37,50%

(E përditësuar 22:40) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas përditësimit të orës 21:30, ka bërë të ditur se janë numëruar mbi 50% të votave.

Nga 2,533 vendvotime, votat kanë arritur të numërohen në 1,289 sosh.

Nga ky numërim i deritanishëm, Lëvizja Vetëvendosje prin me 37,50%. Pasohet nga PDK me 29.80%, LDK 16.29% dhe koalicioni për Kosovën Fituese me 7.92%.

Lista Serbe deri më tani ka arritur të marrë 2.28% të votave dhe Koalicioni për Familjen 2%.

KQZ më herë ka konfirmuar se kanë probleme me serverin, si pasojë e mbingarkesës. Si pasojë, informimi i publikut është më i ngadalshëm.

Publikime te ngjashme