Qeveria në detyrë e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke e drejtuar sërish kritikën ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha në një komunikatë për media se Gjykata Kushtetuese “ka cenuar stabilitetin demokratik të vendit” dhe se “me joefikasitetin në trajtimin e lëndëve është bërë pjesë e agjendës opozitare për të vonuar reformat themelore të programit qeverisës”.
“Sa i përket kritikave publike ndaj Gjykatës Kushtetuese, është qëndrimi i hapur i kryeministrit se me vendimet e saj ajo ka cenuar karakterin demokratik të Republikës independente dhe ka ndihmuar zvarritjen e reformave,” tha Kryeziu.
Megjithatë, ai shtoi se Qeveria i mirëpret kritikat e ShBA-ve dhe premton të korrigjojë veprimet kur ato janë konkrete.
Në reagimin e plotë, Qeveria në detyrë veçoi disa pika:
-
Theksoi se ka qenë qeveria e parë që përmbushi mandatin e plotë pas shpalljes së pavarësisë, duke kontribuar në stabilitet institucional dhe zhvillim ekonomik të Kosovës.
-
Rikujtoi sfidat globale nga viti 2021 e tutje, si pandemia, kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë.
-
Akuzoi Serbinë dhe strukturat ilegale të saj për destabilizim, duke përmendur sulmin paramilitar në Banjskë në vitin 2023 si provë e qartë.
-
Pretendoi se ka depolitizuar integrimin e komunitetit serb në institucionet kosovare, duke ofruar masa për punësim dhe verifikim diplomash të Universitetit të Mitrovicës së Veriut.
-
Kritikoi vonesat e Gjykatës Kushtetuese për 18 ligje, mes tyre edhe Ligjin për Fondin Sovran, që sipas qeverisë ka mbetur pa përgjigje mbi 20 muaj.
Në fund, Qeveria theksoi kontributin e Shteteve të Bashkuara në mbështetje të Kosovës dhe rikonfirmoi mirënjohjen për rolin amerikan në forcimin e shtetit dhe zhvillimin e tij./lajmishqip.net