Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë qëndrimit të tij sot në Mal të Zi iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve, ku pjesën më të madhe të konferencës e kaloi duke debatuar me gazetarët, e posaçërisht u nervozua kur e pyetën për Kosovën.
Gazetari i Televizionit të Podgoricës e pyeti Vuçiqin për situatën me Kosovën, duke përdorur termin “Republika e Kosovës”, duke i renditur atij se çfarë kishte ndodhur atje që nga ardhja e SNS (Partisë Përparimtare Serbe) [partisë së Vuçiqit] në pushtet.
Siç raporton “Nova”, Vuçiq dukshëm i nervozuar i është përgjigjur gazetarit.
“Faleminderit që e bëtë këtë. Nëse nuk do ta bënit, shumë do të dyshonin në fjalët e mia. Kështu e panë të gjithë se sa të drejtë kisha. Nuk ka Republikë të Kosovës, nuk ekziston sipas të Drejtës Publike Ndërkombëtare. Nuk ekziston sipas Kartës së Kombeve të Bashkuara, nuk ekziston sipas Rezolutës 1244. Nuk më shqetëson që ju jeni të lumtur dhe doni të provokoni qëllimisht duke thënë Republika e Kosovës. Imagjinoni që po flas për ‘Republikën e Gusisë’ ose ‘Republikën e Plevles’. Nuk do t’ju them sepse nuk ekziston”, tha Vuçiq, duke shtuar se “Kosova është pjesë e Serbisë”, transmeton Telegrafi.
Ai i ka kërkuar gazetarit të bëhet i kujdesshëm duke e kërcënuar me gisht.
“Hajde të bëhemi të kujdesshëm, mos më ndërprisni se e dëgjova me vëmendje. Pra, ne kemi vërtetuar se ju nuk e përkrahni Rezolutën 1244 dhe Kartën e OKB-së. Ne kemi vërtetuar se ju mbështesni ndarjen e Republikës së Serbisë dhe lëvizjet separatiste në territorin e Serbisë…”, tha Vuçiq.
Ai e përfundoi fjalimin e tij duke thënë se Serbia nuk eksporton armë në Ukrainë dhe Rusi. /Telegrafi