Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Rusia është e gatshme të pranojë humbjen e 300 miliardë dollarëve në asete të ngrira nga vendet perëndimore, duke argumentuar se një veprim i tillë do të shërbente si një katalizator për shkëputjen e Moskës nga sistemet financiare ndërkombëtare të dominuara nga Perëndimi.
Gjatë një samiti të Bashkimit Ekonomik Euroaziatik në Minsk, Putin theksoi se konfiskimi i fondeve nga Perëndimi, ndonëse një humbje, do të nxiste një “tendencë të pakthyeshme drejt rajonalizimit të sistemeve të pagesave”.
“Një sasi e konsiderueshme e arit dhe valutës sonë është e ngrirë në bankat perëndimore. Ata po na thonë hapur se synojnë të na i marrin paratë,” u shpreh ai, sipas “The Moscow Times”. “Ndoshta ia vlen të paguajmë këtë çmim,” shtoi Putin, duke konfirmuar se Moska do të intensifikojë përpjekjet për të forcuar sistemet e saj të pagesave në bashkëpunim me “shtetet mike”.
Konteksti i kësaj deklarate lidhet me ngrirjen e rreth 300 miliardë dollarëve të aseteve të bankës qendrore ruse nga SHBA, BE dhe aleatët e tyre pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës.
Aktualisht, Bashkimi Evropian po finalizon planet për të përdorur fitimet e gjeneruara nga këto asete për të financuar mbrojtjen e Ukrainës, një plan që Kremlini e ka cilësuar si “vjedhje”. Ndërkohë, grupi i vendeve të G7-ës ka deklaruar se asetet do të mbeten të bllokuara derisa Rusia të paguajë dëmshpërblimet për dëmet e shkaktuara në Ukrainë.