Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Prishtinë nën dyshimin se gjatë periudhës 2021–2024 ka kryer disa vepra penale të rënda, përfshirë falsifikim dokumentesh, legalizim të përmbajtjes së rreme, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas raportit zyrtar, i dyshuari – shtetas kosovar – dyshohet se ka falsifikuar dokumente pronësie që lidhen me pasuri nën menaxhimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).
Përmes dokumenteve të falsifikuara dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, ai dyshohet se ka transferuar prona shtetërore në pronësi private, duke i shitur më pas te blerës të mashtruar dhe duke përfituar shuma të mëdha parash.
Gjatë operacionit policor, janë kryer kontrolle në një shtëpi, tri banesa dhe dy garazha, ku janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme që lidhen me falsifikimet, si dhe pajisje që dyshohet se janë përdorur për prodhimin e tyre.
Po ashtu, policia ka konfiskuar një pistoletë me 103 fishekë, një telefon celular, një orë dore Rolex dhe një zinxhir dore Rolex.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë skemë kriminale./lajmishqip.net
