Prokuroria Speciale ka lëshuar urdhër “urgjent” për Policinë e Kosovës që të grumbullojë prova dhe informacione relevante lidhur me aktivitetin e Shkëlzen Gashit, autorit të ekspozitës kontroverse që përmban pasaktësi mbi masakrat e luftës në Kosovë.
Aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, njëherësh bashkëpunëtor i Gashit, njoftoi se njësitet e Drejtorisë së Krimeve të Rënda kanë zbatuar bastisje në vendbanimin e autorit, duke publikuar edhe dokumentin zyrtar të autorizimit nga Prokuroria Speciale.
Në bazë të dëshmive dhe raportimeve nga të dëmtuarit e masakrës së Dubravës dhe masakrave të tjera, organi i akuzës ka iniciuar rast penal ndaj Gashit, veprimet e të cilit dyshohet se kanë nxitur përçarje dhe mosdurim ndërqytetar duke deformuar të vërtetën e luftës çlirimtare, veprime këto që konsiderohen se përmbushin elementet e veprës penale nga neni 141 i Kodit Penal. Prokurori i shtetit ka autorizuar hetuesit policorë të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të zbardhur motivet dhe për të siguruar prova të mëtutjeshme mbi të cilat do të bazohen hapat e radhës proceduralë.
Organet e ndjekjes kanë theksuar nevojën për të “siguruar menjëherë” praninë e Gashit për intervistim në cilësinë e të dyshuarit, ku ai pritet të japë sqarime për burimet e tij të informacionit, të cilat vlerësohen si të pavërteta.
Pas analizimit të provave, hetuesit janë udhëzuar që në koordinim me prokurorin të marrin në pyetje dëshmitarët dhe palët e dëmtuara, duke qenë të obliguar që brenda një afati rekord të dorëzojnë raportin përfundimtar mbi ecurinë e këtyre veprimeve hetimore.
Organizatat “Integra” dhe “Admovere”, që qëndrojnë pas realizimit të këtij projekti, kanë kërkuar falje publike të dielën, duke bërë thirrje për një diskutim të hapur mbi adresimin e gabimeve të evidentuara.
Kjo ekspozitë, e cila nxiti reagime të ashpra deri në revokimin e lejes nga Komuna e Prishtinës, doli të ishte mbështetur financiarisht edhe nga Kuvendi i Kosovës, fakt që u pasua me protesta masive nga shoqatat e dala nga lufta.
Ndonëse Gashi pretendoi se ishte bazuar në “Librin e Kujtimit të Kosovës” të Fondit për të Drejtën Humanitare, ky i fundit reagoi ashpër duke u distancuar plotësisht nga kjo formë e prezantimit të të dhënave.
Sipas Fondit, shifrat e paraqitura në ekspozitë ofrojnë një pasqyrë të gabuar të krimeve, duke ia faturuar këtë mungesës së njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe leximit të gabuar të fakteve të vërtetuara gjyqësisht./lajmishqip.net










