Prishtina me tarifë hyrjeje deri në 2 euro: drejtori Braha zbulon afatin e fundit se kur nis zbatimi

1 minute, 8 seconds Read

Komuna e Prishtinës pritet të finalizojë brenda pak muajsh planifikimin për tarifën e trafikut, një masë që synon lehtësimin e qarkullimit në kryeqytet dhe rritjen e investimeve në infrastrukturë. Sipas planit, automjetet që hyjnë në Prishtinë parashihet të paguajnë një tarifë prej 1 deri në 2 euro.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Luftar Braha, konfirmoi se aktualisht po punohet intensivisht në detajet e këtij projekti. “Jemi në fazën e planifikimit të disa elementeve kyçe që ekzekutimi i planit të jetë sa më i lehtë. Po shqyrtojmë edhe mundësinë e stimulimeve për ata që hyjnë shpesh në Prishtinë. Besoj se deri në shtator, ose rreth fundit të vitit, gjithçka do të jetë gati,” deklaroi Braha për IndeksOnline.

Ai nënvizoi se kjo tarifë trafiku do të jetë e detyrueshme, por do të sjellë benefite të drejtpërdrejta për banorët e kryeqytetit. Përveç lirimit të trafikut, të hyrat e grumbulluara do të përdoren për ndërtimin e unazës së jashtme dhe investime të tjera kapitale. “Qytetarët që vijnë në kryeqytet për punë apo relacione të tjera, nuk besoj se do ta kenë të papërballueshme këtë tarifë,” shtoi ai. Komuna gjithashtu planifikon masa lehtësuese për banorët rezidentë për të përmirësuar lëvizshmërinë brenda qytetit. /lajmishqip.net

Publikime te ngjashme