Learta Hollaj, zyrtare e lartë në Presidencën e Kosovës, ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve që qarkullojnë së fundmi, duke i cilësuar ato si shpifje të rënda dhe krejtësisht të pavërteta. Sipas saj, këto akuza janë produkt i një mendësie e cila, për interesa të ngushta të momentit, është e gatshme të dëmtojë rëndë vetë integritetin e shtetit.
Hollaj ka theksuar prerë se presidentja Vjosa Osmani nuk ka qenë asnjëherë dhe nuk do të bëhet kurrë pjesë e skenarëve të tillë destabilizues. Ajo nënvizoi se për kreun e shtetit, politika nuk përfaqëson një terren të komploteve të errëta, por një përgjegjësi absolute ndaj Republikës, Kushtetutës dhe qytetarëve tanë.
Në një kohë kur dezinformimi po tentohet të shndërrohet në një narrativë të mirëfilltë politike, Presidenca ka bërë të ditur se nuk do të mbështetet në makineri propagandistike për të mbrojtur qëndrimet e saj. Përkundrazi, forca e presidentes qëndron te vetë e vërteta, e cila, sipas Hollajt, mbetet mjeti më i fuqishëm përballë çdo sulmi.
Lidhur me zërat për një plan të organizuar kinse me figura si Rama, Grenell, Vuçiq apo opozitën, Presidenca siguron se këto janë vetëm trillime të dëmshme. Hollaj përfundoi duke thënë se qytetarët shumë shpejt do ta kuptojnë prapavijën e kësaj zhurme, pasi koha gjithmonë i ndan faktet nga propaganda, duke lënë pas vetëm të vërtetën. /lajmishqip.net









