Gazetari dhe aktivisti i njohur, Blerim Shala, ka zbuluar detaje të panjohura nga prapaskenat politike të vitit 2011. Sipas tij, kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi, kishte ofruar zyrtarisht dorëheqjen e tij para përfaqësuesve ndërkombëtarë, menjëherë pas publikimit të raportit famëkeq të Dick Martyt.
Gjatë një bashkëbisedimi në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Shala rrëfeu se Thaçi kishte thirrur në takim ambasadorët e vendeve të Quintit. Në këtë diskutim vendimtar, ai i kishte pyetur diplomatët drejtpërdrejt nëse duhej të largohej nga posti i kreut të qeverisë apo të vazhdonte ushtrimin e detyrës.
Sipas Shalës, përgjigjja erdhi e menjëhershme dhe e prerë nga diplomati amerikan Christopher Dell. Ky i fundit i kishte kërkuar Thaçit të qëndronte në detyrë, duke i thënë shkurt: “Jo, ti duhet të qëndrosh”. Ky moment duket se përcaktoi fatin e mëtejshëm politik të kryeministrit në atë periudhë tejet kritike.
Shala nënvizoi se presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës gjatë atij viti ishte i jashtëzakonshëm. Raporti i Dick Martyt përmbante akuza tronditëse për trafikim organesh nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pretendime këto që u pasqyruan gjerësisht dhe me nota negative në mediat më prestigjioze botërore.
“Në bazë të asaj që më ka thënë vetë Thaçi, ai i mblodhi ambasadorët e Quintit për t’i pyetur se çfarë duhej bërë pas atij raporti. Ishte Christopher Dell ai që i preu rrugën dorëheqjes. Situata ishte tepër e rëndë në substancë, sepse akuzat për trafikim organesh ishin goditja më e rëndë e mundshme që mund t’u bëhej shqiptarëve dhe UÇK-së”, rrëfeu Shala.
Gazetari shtoi se Kosova mund të kishte vepruar me një transparencë më të madhe për të mbrojtur imazhin e saj. Sipas tij, një kërkesë e menjëhershme për hetime të pavarura dhe një ftesë e hapur për vetë Dick Martyn do të tregonte se vendi nuk kishte asgjë për të fshehur ndaj atyre akuzave që ai i cilëson si të kota.
Nga ana tjetër, Veton Surroi vlerësoi se kjo krizë e brendshme u reflektua edhe në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, Kosova hyri në procesin negociator me Serbinë krejtësisht e papërgatitur, gjë që solli pasoja në tavolinën e bisedimeve.
Surroi theksoi se mungesa e konsultimeve dhe strategjisë së qartë bëri që pala kosovare të pranonte procese që mund të konsiderohen si prapakthim. Ai ia atribuoi këtë dështim mospërgatitjes dhe mungesës së njohurive të nevojshme për të përballuar një proces aq kompleks diplomatik në atë kohë. /lajmishqip.net

