Gjatë diskutimeve për planin e rishikuar të paqes me Donald Trump në Florida, presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi se SHBA-të i kanë ofruar Ukrainës garanci sigurie 15-vjeçare. Ndërkohë që Trump pohoi se marrëveshja është “95% e arritur”, udhëheqësi ukrainas ka shprehur ambicien për një afat më afatgjatë, duke kërkuar mbrojtje deri në 50 vite.
Sipas BBC, Zelensky i ka cilësuar çështjet territoriale dhe kontrollin mbi centralin bërthamor të Zaporizhzhia-s si pengesat e fundit të pazgjidhura. Ndonëse Moska kishte refuzuar më parë pika kyçe të këtij plani, Kremlini u pajtua me vlerësimin e Trump se paqja tashmë është më afër.
Nga resorti Mar-a-Lago, Zelensky rikonfirmoi besimin e tij se rreth 90% e rrugës drejt paqes është përshkuar. Progres i dukshëm është shënuar sidomos te garancitë e sigurisë, të cilat Kievi insiston që të hyjnë në fuqi menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes. “Pa garanci sigurie, lufta nuk mund të konsiderohet e mbaruar, pasi rreziku i një agresioni të ri nga fqinji mbetet i lartë,” shpjegoi ai.
Përderisa SHBA ende nuk ka komentuar mbi afatin prej 30 deri në 50 vite të kërkuar nga Zelensky, Trump ka theksuar se pret që aleatët evropianë të mbajnë barrën kryesore të kësaj përpjekjeje. Aktualisht, fokusi mbetet te Donbasi, rajon ku Rusia kontrollon pjesën dërrmuese dhe nuk tregon gatishmëri për kompromis. Trump u shpreh se fati i këtij rajoni mbetet ende i pazgjidhur, por negociatat po i afrohen fundit. /lajmishqip.net
