Kryeministri Albin Kurti ka ngritur akuza të forta ndaj Presidentes Vjosa Osmani, duke pretenduar se dekreti i saj i së premtes për shpërndarjen e Kuvendit përbën një “shkelje të rëndë të rendit kushtetues”.
Përmes një kërkese urgjente drejtuar Gjykatës Kushtetuese, shefi i qeverisë ka kërkuar vendosjen e menjëhershme të një mase të përkohshme. Ai argumenton se zhvillimet e mëtejshme do të cenonin rëndë funksionimin dhe stabilitetin e shtetit, duke gjeneruar atë që ai e cilëson si “një situatë të pasigurisë juridike dhe institucionale”.
Kurti thekson në dosjen e tij se nevoja për këtë masë pezulluese u bë e pashmangshme pas veprimeve të Presidentes. Kjo pasi Osmani organizoi pa vonesë një takim konsultativ me subjektet politike për të diskutuar datën e mundshme të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Vendosja e masës së përkohshme imponohet gjithashtu nga një rrethanë tjetër me peshë të veçantë kushtetuese. Pas nxjerrjes së Dekretit të kontestuar, pikërisht në po të njëjtën ditë, më 6 mars 2026, Presidentja ka ndërmarrë hapat e parë për materializimin e tij. Kjo u bë përmes thirrjes së partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve”, thuhet në dokumentin e dorëzuar në Gjykatë.
Kryeministri paralajmëron prerazi se mungesa e një mase pezulluese do të krijonte një rrezik “të menjëhershëm dhe real” për shpalljen zyrtare të zgjedhjeve të reja nga ana e Presidencës.
Sipas arsyetimit të tij, nëse dekreti lejohet të mbetet në fuqi, zgjedhjet do të duhej të mbaheshin brenda afatit strikt prej 45 ditësh. Kjo do ta kthente situatën në një proces të pakthyeshëm, ku edhe nëse Gjykata do të konstatonte më vonë shkeljen e Kushtetutës, kthimi në normalitetin e mëparshëm juridik do të ishte tejet i vështirë, në mos i pamundur.
Pas shqyrtimit të kësaj kërkese, Gjykata Kushtetuese ka reaguar duke miratuar një masë të përkohshme. Përmes këtij vendimi, institucionit të Presidencës dhe Kuvendit u ndalohet çdo veprim i mëtejshëm lidhur me këtë çështje deri në përfundim të këtij muaji./lajmishqip.net










