Nënkryetari i partisë së serbëve të Kosovës, “Demokracia Serbe”, Ivan Orlloviq, i cili u arrestua dhe u lirua sot, ka thënë se policia e Kosovës ishte korrekte ndaj tij.
Në një bisedë për median serbe N1, ai tha se nuk kishte dhunë ndaj tij dhe se ai u arrestua për prishje të rendit dhe qetësisë publike.
“Unë jam arrestuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike, ndërsa unë i kam rënë pipëzës dhe kjo është një shqetësim për ta. Kur iu afrova urës, policia ishte gjithandej, nuk lejoi një grup njerëzish të afroheshin te ura, kështu që u afrova dhe pyeta pse nuk po i linin. Disa njerëz u lejuan të hynin, por mua dhe disa të tjerëve na u refuzua hyrja. Policët nuk donin të flisnin serbisht. Pastaj nxora pipëzën, fillova të fishkëllej dhe më pas më arrestuan”, ka thënë Orlloviq.