Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është treguar i zoti në balancimin mes Perëndimit, Rusisë dhe Kinës, shkruan portali nga Brukseli Politico, duke thënë se kreu i shtetit ka fituar reputacionin e një personi që luan pa mundim për secilën palë, në çdo situatë. Portali ka zbuluar fytyrën dhe lojën e Vuçiqit dhe arsyetimet e tij në çdo situatë, edhe kur i kërkohet shpjegim për mosvendosje të sanksioneve ndaj Rusisë.
Politico vë në pah se kur Vuçiq nuk është i zënë me balancimin e Perëndimit dhe Rusisë e Kinës, ai fokusohet të bindë votuesit se ai është një person mesatar, ashtu si të gjithë.
Në fillim të shtatorit, ai kaloi disa ditë me ushtarët serbë, duke u bërë petulla ose duke gatuar reçel në Podrinje, ku është planifikuar një minierë e re e litiumit.
Vitin e kaluar në fushatë, kujton Politiko, ai bëri një shfaqje me një sandviç majonezë dhe pariziane në gjysmë buke.
Duke u ballafaquar në të njëjtën kohë me kinezët, amerikanët, rusët dhe Bashkimin Evropian, të cilët e shohin Serbinë si një figurë kyçe në tabelën globale të shahut, Vuçiq arriti t’i bindë ata të gjithë se ai është ose në anën e tyre ose në prag të arritjes së një marrëveshje.
Duke dëgjuar Vuçiqin gjatë intervistës në Beograd dhe interpretimin e tij për botën, bëhet më e qartë se si ai arrin të sharmojë, por edhe të frustroj liderët e vendeve që janë shumë më të mëdha se Serbia, shton portali.
Si në çdo bisedë me Vuçiqin, ishte e vështirë për t’i arritur gjërat në fund, por ai ishte “çuditërisht i sinqertë” kur e pyetëm se çfarë merr Serbia nga Rusia dhe Kina, duke qenë se investitorët më të mëdhenj në vendin e tij janë evropianë – Gjermania, Franca dhe Italia.
“Ne marrim mbështetjen e tyre për integritetin territorial të Serbisë”, tha Vuçiq.
Ai pretendon se Serbia është e përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE, por megjithatë refuzon të respektojë sanksionet e vendosura nga Brukseli ndaj Moskës për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës.
Deri në kohën kur Serbia të hyjë në BE, nëse kjo ndodh ndonjëherë, Vuçiq premton se nuk do të jetë më president sepse sipas Kushtetutës së Serbisë ai ka të drejtën e dy mandateve dhe i dyti skadon në vitin 2027.
Megjithatë, ai ende gëzon shumë mbështetje, ashtu si edhe Partia e tij Progresive Serbe me 47 për qind, shkruan autori i shkrimit dhe përfundon: “Të lumtë me këtë, sepse në Serbi presidenti e ka fjalën e fundit”.