Policia kryen bastisje në banesën e ish-zëvendëskryeministrit të Maqedonisë Veriore, Artan Grubi

2 minutes, 13 seconds Read

Policia e Maqedonisë së Veriut kreu sot në mëngjes një kontroll në banesën e Artan Grubit, ish-zëvendëskryeministër i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut.

Aksioni, sipas burimeve policore ka të bëjë me prokurimet e “Lotarisë Shtetërore” në kohën kur zoti Grubi mbante postin e lartë qeveritar dhe drejtor i Lotarisë ishte Përparim Bajrami, që mendohet të ketë qenë njeri i afërt i ish-zëvendëskryeministrit.

Policia, po ashtu bastisi edhe shtëpinë e ish-drejtorit të lotarisë. As zoti Grubi e as Bajrami nuk ndodheshin në shtëpi në kohën e kontrollit të policisë.

Para një viti në shtypin maqedonas janë botuar artikuj se “Lotaria shtetërore” kishte blerë pajisje me një vlerë mbi 10 milionë euro në tendera të dyshuar si të manipuluar dhe se tenderat i kishin fituar kompani që njiheshin për mbështejen financiare të Bashkimit Demokratik për Integrim.

Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski pas ardhjes në pushtet akuzoi “Lotarinë shtetërore” për veprimtari të jashtëligjshme, duke paralajmëruar se personat përgjegjës do të viheshin para drejtësisë, ndërsa zyrtarët e koaliciont qeverisës “Vlen” kanë akuzuar prej javësh zotin Grubi për përfshirje në korrupsion.

Përmes rrjetit Facebook, Artan Grubi bëri të ditur se ndodhej jashtë shtetit në një udhëtim privat, me dokumente të rregullta dhe se do të kthehej në Maqedoninë e Veriut, sapo të përfundonte detyrimet që kishte. Ai bëri thirrje që të mos spekulohej se ishte arratisur.

Të dielën në mbrëmje udhëtarë që kalonin pikën kufitare të Bllacës me Hanin e Elezit në Kosovë thanë se kishin vënë re një prani të shtuar policore nga ana maqedonase dhe se atyre iu ishte dashur të prisnin për më shumë se dy orë për ta kaluar kufirin. Ndonëse, zoti Grubi nuk saktësonte në postimin e tij në Facebook vendndohjen, disa media në Shkup raportuan se ai ndodhej në Kosovë.

Autoritetet në Shkup filluan hetime ndaj ish-zëvendëskryeministrit Grubi pasi Departamenti amerikan i Shtetit e përcaktoi atë dhe gjykatësin Enver Bexheti si të përfshirë në korrupsion.

Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Angela Aggeler citohet sot nga një portal maqedonas të ketë thënë se nuk ishte për t’u habitur që zoti Grubi u përcaktua për korrupsion. “Të gjithë e dinë se kush është i korruptuar në këtë shtet”, shprehet ambasadorja.

Veprimet e autoriteteve të rendit po ndodhin në të njejtën kohë kur policia maqedonase ka ndërmarrë një sërë aksionesh për arrestimin e grupeve.

Publikime te ngjashme