Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka konfirmuar se po heton një incident të rëndë të ndodhur rreth mesnatës së 30 qershorit në rrugën “Muharrem Fejza” në Prishtinë. Rasti u bë publik fillimisht nga portali IndeksOnline, i cili raportoi se një i ri ishte ndjekur dhe rrahur brutalisht nga persona të dyshuar si zyrtarë policorë civilë. Pas hetimeve fillestare, IPK ka bërë të ditur se ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë si të dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje. Hetimet po zhvillohen në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prishtinë për veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.
Sipas dëshmisë së babait të viktimës, incidenti filloi pasi djali i tij me motoçikletë kishte tejkaluar një veturë që dyshohet se i përkiste policisë. Ai pretendon se personat në veturë e kanë ndjekur, e kanë goditur me automjet për ta rrëzuar, ia kanë lidhur duart dhe e kanë rrahur deri në humbje të vetëdijes. “Djali më thirri në telefon në gjendje shumë të rëndë. E dërguam menjëherë në QKUK, ku mjekët konstatuan se kishte pësuar shtypje të eshtrave. Gjatë sulmit, atij i kishin marrë edhe portofolin me 300 euro. Askush nuk ishte në gjendje të na jepte sqarime se cilit stacion i përkiste automjeti zyrtar”, kishte deklaruar babai i tij për IndeksOnline. IPK ka njoftuar se në koordinim të ngushtë me prokurorinë do të ndërmerren edhe veprime të tjera hetimore për zbardhjen e plotë të këtij rasti, raporton lajmishqip.