Donald Trump ka ripërsëritur ambiciet e tij për aneksimin e Grenlandës, duke injoruar paralajmërimet se një plan i tillë mbi territorin danez mund të shkaktojë kolapsin e NATO-s.
Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan ka qenë mjaft i zëshëm për dëshirën e tij për të marrë nën kontroll ishullin strategjik, të pasur me minerale, pavarësisht faktit se SHBA dhe Danimarka janë aleatë kyç në NATO.
Pas operacionit amerikan që çoi në kapjen e liderit venezuelian Nicolas Maduro, Trump deklaroi për “The Atlantic” se ky veprim është i domosdoshëm për mbrojtjen e përgjithshme.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, reagoi ashpër duke paralajmëruar se në rast të ndonjë ndërhyrjeje amerikane, çdo bashkëpunim ndalet, duke përfshirë këtu edhe funksionimin e NATO-s.
Ndonëse Sir Keir Starmer është rreshtuar krah homologes daneze, Trump refuzon të tërhiqet nga ky pozicion, duke insistuar se kontrolli mbi ishullin i duhet “tani”.
Gjatë një prononcimi për NBC News të hënën mbrëma, presidenti amerikan theksoi: “Grenlanda na nevojitet për sigurinë kombëtare, e cila përfshin drejtpërdrejt edhe sigurinë e Evropës”.
“Jam shumë besnik ndaj Evropës, por mbrojtja jonë kombëtare është prioriteti i pashmangshëm i momentit”, shtoi ai më tej.
Sipas tij, ky territor është jetik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, të Evropës dhe të mbarë pjesës tjetër të botës së lirë.
Ndonëse sqaroi se nuk ka vendosur ende një afat kohor për këtë lëvizje, ai konfirmoi se është “shumë serioz” në synimin e tij për aneksimin e ishullit.
Në deklaratën e saj të fundit, Frederiksen u shpreh se pretendimet amerikane për marrjen e Grenlandës nuk kanë asnjë kuptim dhe asnjë bazë legjitime.
Ajo ripotencoi se SHBA-të nuk gëzojnë asnjë të drejtë për të aneksuar asnjë pjesë të Mbretërisë Daneze.
Rrjedhimisht, ajo i bëri thirrje SHBA-së që të ndërpresë kërcënimet ndaj një aleati besnik dhe një populli që e ka bërë të qartë se nuk është në shitje.
Në këtë linjë doli edhe kryeministri britanik Keir Starmer, i cili konfirmoi mbështetjen e plotë për Danimarkën lidhur me të ardhmen sovrane të Grenlandës./lajmishqip.net

