Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili në një intervistë për KosovaPress foli për rënien e rrezikut nga spiunazhi dhe luftën hibride që Serbia dhe Rusia po zhvillojnë kundër Kosovës. Sipas mediave serbe, Petkoviq ka pretenduar se Kurti synon t’i vërë çdo serbi në Kosovë “etiketën e spiunit ose terroristit”.
Këto reagime vijnë pas një viti me aksione intensive të sigurisë. Gjatë vitit 2025, institucionet e Kosovës arrestuan disa persona nën dyshimet për spiunazh, përfshirë Fatmir Shehollin më 9 tetor, dhe togerin e Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq. Po ashtu, më 6 maj u arrestua Hysri Selimi nën dyshimet për bashkëpunim me shërbimin serb (BIA), si dhe zyrtarja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq, e cila u ndalua më 28 shkurt pas një hetimi disamujor nga Prokuroria Speciale.
Kryeministri Kurti ka theksuar se bashkëpunimi i ngushtë mes inteligjencës dhe drejtësisë ka qenë kyç për këto goditje ndaj rrjeteve të spiunazhit. Megjithatë, Petkoviq ka pretenduar se këto arrestime janë “padrejtësi” dhe se të ndaluarit janë “viktima të tiranisë së Prishtinës”, duke akuzuar Kurtin se po kërcënon stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ky lloj diskursi vlerësohet si pjesë e fushatës së vazhdueshme të dezinformimit që politikanët serbë përdorin për të destabilizuar rajonin përmes mediave të tyre. /lajmishqip.net
